JUVELIVE

14 tetor 2008

LAJMET NEWS 14.10.2008


Mancini ose Rijkaar në krye të Galatasarayt?
Ish-trajneri i Interit, Roberto Mancini dhe ish-trajneri i Barcelonës, Frank Rijkaard, janë emrat të cilët përmenden në shtypin turk si zëvendësim për trajnerin e tashëm të Galatasarayt, Michael Skibbe.
Skibbe është nën presion për shkak se ekipi ka rezultate dhe paraqitje të dobëta nën drejtimin e tij. Pas 6 ndeshjeve të zhvilluara, Galatasaray gjendet në vendin e 5-të me 11 pikë, pesë nën liderin Trabzonspor. Nëse Skibbe largohet, mediat turke shkruajnë se klubi do të bëjë ofertë në drejtim të italianit Roberto Mancinit ose holandezit Frank Rijkaardit.

Ancelotti: Tirana? Seancë stërvitore
Trajneri i Milanit Carlo Ancelotti beson se takimi i sotëm miqësor kundër skuadrës shqiptare, Tirana, do të jetë një seancë stërvitore për skuadrën e tij, dhes sidomos për Alessandro Nestan dhe Filippo Inzaghin të cilët kthehen nga lëndimet.
“Ndeshjen kundër Tiranës e konsiderojmë si një seancë stërvitore, dhe mbi të gjitha do t’i analizojmë lojtarët të cilët kthehen nga lëndimet, siç është Nesta, Inzaghi dhe Favalli”. “Ne jemi të gatshëm për ndeshjet e dy muajve të ardhshme. Morali është i lartë dhe skuadra është e gatshme për aksion”, ka thënë Ancelloti.

UEFA dënon Atleticon
Komisioni disiplinor i UEFA-s e ka dënuar skuadrën Atletico de Madrid duke ia ndaluar që dy ndeshjet e radhës të mos i luajë në stadiumin e vet, dhe me një lojë të kushtëzuar brenda pesë vitesh, për shkak të incidentit në ndeshjen e Grupit D të Ligës së Kampionëve kundër Marseille.
Dy ndeshjet e radhës kundër Liverpoolit (22 tetor) dhe kundër PSV (26 nëntor), Atletico do të luajë në ndonjë stadium i cili është larg së paku 300 kilometra nga kryeqyteti spanjoll. Dënimi ka ardhur për shkak të “organizimit të keq” si pasojë e të cilit ka ardhur deri tek incidenti, si edhe “për shkak të sjelljes së keqe të tifozëve”. Atletico njëkohësisht do të paguajë edhe 150.000 euro dënim në para, ndërsa edhe trajneri Javier Aguirre është i suspenduar për dy ndeshje.

Kuqezinjtë bëjnë përgatitjet përfundimtare
Përfaqësuesja e Shqipërisë sot do t’i bëjë përgatitjet përfundimtare para ndeshjes së mërkurës të cilën do ta zhvillojë kundër Portugalisë në Braga.
Strategjia e Arie Haan tanimë nuk mbështet në fuqinë e kundërshtarit, por dëshiron që Kuqezinjtë ta zhvillojnë lojën e tyre, pavarësisht se do të kenë përballë një Portugali të frikshme. Ky vendim i trajnerit duket se vjen si pasojë e dështimit që pësoi taktika e tij në humbjen zhgënjyese kundër Hungarisë. “Ne gabuam shumë kundër Hungarisë, por duhet të keni parasysh se takimi kundër Portugalisë do të jetë shumë më i vështirë”, ka thënë holandezi. Pritet që gjatë seancës stërvitore, Haan t’ua shpjegojë mbrojtësve mënyrat se si ta neutralizojnë asin e Manchester United dhe pretendentin kryesor për titullin e lojtarit më të mirë këtë vit, Cristiano Ronaldo. Vlen të përmendet se sfida kundër Portugalisë do të jetë e 70-ta e kapiteni të Kombëtares Kuqezi, Altin Lala, vetëm tre ndeshje më pak se legjenda e Kombëtares, Foto Strakosha, të cilën shifër mesfushori i Hannoverit dëshiron ta kalojë.

Yjet e Milanit "zbarkojnë" në Shqipëri
Milani me yjet e tij zbret sot në Tiranë. Kampionët e botës, të drejtuar nga trajneri Karlo Ançeloti, "zbarkojnë" në orën 11:30 në aeroportin "Nënë Tereza", pas 90 minutave udhëtim nga Milano.
Ronaldinjo, Maldini, Shevçenko, Inzagi, Sedorf, Nesta e shumë lojtarë të tjerë do të qëndrojnë për afro 10 orë në vendin tonë, ku në stadiumin “Qemal Stafa” do të luajnë me Tiranën për trofeun “Taçi Oil”. Pas mbërritjes në Rinas, kuqezinjtë do të akomodohen menjëherë në hotel “Sheraton”. Për nder të futbollistëve dhe të delegacionit zyrtar të klubit me 22 persona, që kryesohet nga zv/presidenti Adriano Galiani, por ku spikasin edhe emra të njohur si Ariedo Braida, Filipo Gali, Mauro Tasoti e Leonardo, në orën 13:30 do të zhvillohet edhe një drekë zyrtare. Qëndrimi i “Djajve” në tokën shqiptare do të pasohet me një takim zyrtar në Kryeministri, me titullarin e këtij institucioni, z. Sali Berisha. Edhe pse nuk njihet si një person “i dashuruar” me sportin (më saktësisht me futbollin në veçanti, ku nuk është asnjëherë i pranishëm në tribunë, qoftë edhe për ndeshjet e Kombëtares), në orën 15:00 Kryeministri do të presë në zyrën e tij yjet e klubit të Serisë A. Përpara ndeshjes, rreth orës 16:30, administratori Galiani, trajneri Ançeloti dhe disa futbollistë (mes të cilëve Maldini), do të dalin në një konferencë për shtyp së bashku me organizatorin e kësaj ndeshjeje, Rezart Taçin. Miqësorja e shumëpritur me Tiranën starton në orën 19:00, në stadiumin “Qemal Stafa”, por në tribunat e impiantit më të madh në vend festa pritet të fillojë shumë kohë më parë. Nuk do të mungojë as donacioni për bamirësi, ku nga shifra prej 1,7 milionë eurosh që kanë përfituar për ardhjen në kryeqytetin shqiptar, Milani do të dhurojë 100 mijë euro për programin “Albania Reads” të UNICEF. Me këtë fond synohet që në mbarë vendin të ndërtohen librari moderne në të gjithë Shqipërinë: objektivi është që në brezat e rinj të shpërndahet kultura nëpërmjet librit. Fondet për bamirësi do të vazhdojnë edhe në mbrëmjen gala të parashikuar në orët e vona të mbrëmjes: Milani do të largohet menjëherë pas ndeshjes, por me fanellat e autografuara nga lojtarët do të organizohet një ankand.

Santa Cruz dëshiron të kalojë në City
Sulmuesi i Blackburnit, Roque Santa Cruz, zbulon se është i interesuar për kalim në Manchester City dhe të luajë krahas Robinhos.
“Manchester City është ekipi i cili ka një forcë të madhe financiare dhe përgatitet të luftojë për tituj. Unë jam shumë i lumtur në Blackburn, por më pëlqen ideja të luaj në një ekip i cili do të luftojë për qëllime të rëndësishme”, ka thënë paraguaiani. “Do të vazhdoj të angazhohem për Blackburnin, por nëse trajneri i Manchester Cityt është i interesuar për mua, do të doja t’i bashkohem Robinhos. Ai është lojtar fantastik dhe do të doja të luaj krahas tij”, shton Santa Cruz.

Hleb: Bjellorusia do ta mposhtë Anglinë nëse luaj unë
Ish-mesfushori i Arsenalit, Alexandr Hleb, pritet që të jetë pjesë e ekipit bjellorus që nesër do të ndeshet me kombëtaren angleze, edhe përkundër asaj që Barcelona kërkon që ai të heqë dorë nga kjo.
“Është e dukshme se kisha shumë të dëshirë të luaj në ndeshjen me Anglinë. Për ne kjo është një përballje shumë e rëndësishme. Diçka më thotë se do të bëjmë diçka historike për futbollin në Bjellorusi. Shërimi im po kalon shumë më shpejt se që është pritur”, thotë Hleb. “Nëse unë do të zbres në fushë do të luftojmë për fitore, nëse jo, do të jetë barazim. Mund t’i fitojmë tri pikë nëse lëvizim shpejt. Nuk duhet t’i lëmë hapësirë Anglisë. Nuk guxojmë të ketë vrima në mbrojtjen tonë. Duhet ta fitojmë topin para tyre”, ka shtuar lojtari i i Barcelonës.

Bayern interesohet për Hildebrand
Kampioni i Bundesligës, Bayern Munich, është duke e ndjekur portierin e Valencias, Timo Hildebrand.
Pas pensionimit të Oliver Kan, në pozitën e portierit të Bayern Munichut ka mbetur Michael Rensing, por për shkak të numrit të madh të golave të pranuar, pozicioni i tij është i pasigurt. Bayern Munich planifikon që në afatin kalimtar të janarit të sjell një emër të ri dhe të njohur në pozicionin e portierit. Njëri prej portierëve të gjendur në listë është edhe Timo Holdebrand, i cili për momentin nuk është pjesë e formacionit startues të Valencias, andaj është në kërkim të një klubi të ri.

Cisse dëshiron të mbetet në Sunderland
Sulmuesi francez Djibril Cisse, i cili është huazuar nga Marseille tek Sunderland, thotë se ndjehet mirë tek ky klub dhe se dëshiron që transferi i tij të bëhet i plotë.
“Ndjehem aq mirë që jam sërish në Angli dhe më shumë se gjithçka ndjehem mirë pasi që luaj. E dini, unë jam këtu për të shënuar gola, andaj përpiqem që këtë ta bëj sa më shpesh që mundem”, ka thënë Cisse. “Të them të drejtën, nuk shqetësohem çfarë thonë njerëzit, besoj në këtë ekip dhe mendoj se mund të kualifikohemi për në Kupën UEFA dhe arrijmë sukses historik në këtë klub. Roy Keane ka diçka që unë do të doja ta kem, një numër të pabesueshëm medaljesh”, ka shtuar francezi.

Ronaldo: Shqipëria vlen tre pikë
Portugezët janë të bindur për fitore kundër Shqipërisë të mërkurën, ndërkohë që asi i Manchester United, Cristiano Ronaldo, ka theksuar se loja e tyre do të progredojë në ndeshjet në vazhdim.
Faza kualifikuese e Portugalisë nuk ka pasur një nismë aq të mirë. Ata kanë nga një fitore, një barazim dhe një humbje, dhe janë me pikë të barabarta me Shqipërinë, por qëndrojnë paera saj falë golaverazhit. Barazimi i të shtunës kundër Suedisë ka bërë që ndeshja kundër Kombëtares Shqiptare të ketë vleftën e domosdoshme trepikëshe, duke kufizuar çdo mundësi të Kuqezinjve për të nxjerrë së paku një pikë, pas asaj humbjeje të papritur nga Hungaria. “Ne jemi në rrugë drejt kualifikimit. Jam i bindur se në ndeshjet në vazhdim, loja jonë do të shkojë duke u ngritur”, ka thënë Ronaldo.

Rooney: Duhet të vazhdojmë me fitore
Wayne Rooney dëshiron që Anglia të vazhdojë të fitojë edhe ndeshjet e radhës duke filluar nga takimi i të mërkurës kundër Bjellorusisë.
“Kemi luajtur mirë, i kemi fituar tri ndeshjet e fundit dhe kemi filluar të shënojmë më shumë gola”. “Po kënaqem me lojën time tani për tani dhe shpresoj të vazhdoj të luaj mirë për Kombëtaren”. “Jam i sigurt se ëndrra e të gjithë lojtarëve është që të fitojnë trofe për Anglinë, dhe nëse e arrijmë këtë do të ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme”, ka thënë sulmuesi i Manchës.

Zambrotta i kënaqur me barazimin në Sofje
Mbrojtësi italian i krahut, Gianluca Zambrotta, e ka shprehur kënaqësinë e tij për pikën të cilën e fitoi Përfaqësuesja italiane në ndeshjen kundër Bullgarisë në Sofje.
“Qëllimi ynë është që të fitojmë në shtëpi dhe të barazojmë jashtë. Kjo është arsyeja pse barazimi i të shtunës mbrëma kundër Bullgarisë duhet të konsiderohet si rezultat pozitiv”. Zambrotta nuk ka qenë i kënaqur me tifozët italianë të cilët kishin përdorur parulla dhe sharje naziste gjatë ndeshjes. “Tifozët e vërtetë italianë nuk janë atë të cilit janë vërejtur në takimin kundër Bullgarisë”, ka thënë mbrojtësi i Milanit.

Fabregas: Dua të fitoj trofe këtë sezon
Mesfushori spanjoll Cesc Fabregas ka deklaruar se Arsenali duhet të punojë më shumë me qëllim që t’i bindë tifozët se janë kandidatë serioz për titull.
Topçinjtë tashmë kanë pësuar në dy ndeshje këtë sezon, ndaj Fulhamit dhe Hull Cityt, derisa goli i Fabregas i shpëtoi edhe nga një humbje tjetër gjatë vikendit të kaluar.Edhe përkundër fillimit jo aq impresiv, Arsenali renditet në pozitën e katërt të Premierligës, dhe Fabregas thotë se duhet të kenë kujdes nëse dëshirojnë të mbeten pretendentë për titull.“Ende jemi në fillim të sezonit. Gjithë çfarë duhet të bëjmë është të fokusohemi në ndeshjen e ardhshme dhe të mësojmë nga gabimet tona në mbrojtje dhe nëse dëshirojmë të fitojmë, duhet ta ndryshojmë raportin”, ka thënë Fabregas.Mesfushori spanjoll edhe njëherë ka pohuar dëshirën për të mbetur në Emirates Stadium edhe krahas spekulimeve se ai dëshiron të rikthehet në Barcelonë.“Dua të mbetem këtu dhe dua të fitoj trofe dhe mendoj se kjo do të ndodhë këtë vit”, ka thënë Fabregas.

Bednar: Jam më i mirë se Ronaldo
Sulmuesi i West Bromwich Albion, Roman Bednar, skuadra e të cilit vikendin që vjen ndeshet me kampionët e Manchester United, ka thënë se ai në disa mënyra është më i mirë se Cristiano Ronaldo. “Unë gjithmonë dëshiroj të jem vetvetja. Mendoj se kam diçka të veçantë të cilën nuk e ka askush”. “E di se Ronaldo është i shpejtë, shënon, ka teknikë të mirë, gjithçka, mirëpo unë jam një lojtar më ndryshe dhe në disa mënyra jam më i mirë se ai”, ka thënë Bednar, duke mos specifikuar veçantinë e tij.