JUVELIVE

15 tetor 2008

Juventusi insiston akoma për Benitez

Klaudio Ranieri do ketë kohë të paktën deri në përfundim të fazës së parë për të zgjidhur krizën që ka mbërthyer skuadrën bardhezi, dhe nëse nuk do arrijë t’ia dalë mbanë, “Zonja e Vjetër” do i besohet për vitin që vjen njërit ndërmjet Rafa Benitez dhe Frenk Rajkard, por ekziston mundësia që Juventusin ta drejtojë edhe ish-trajneri i Kombëtares italiane Roberto Donadoni. Përsa i përket teknikut spanjoll të Liverpulit, ka qenë e përditshmja angleze “Mirror”, e cila ka shpjeguar se Benitez ka disa probleme me drejtuesit e Liverpulit dhe nuk e ka rinovuar akoma kontratën e tij aktuale, e cila skadon në gusht. Duke përfituar nga ky fakt, Benitez mund të lidhet me Juventusin që në fillim të fazës së dytë. Disa javë më parë e përditshmja angleze “The Sun” ka vënë emrin e Rafa Benitezit në krye të pankinës së Juventusit, por vetë trajneri spanjoll e kishte mohuar këtë hipotezë: “Kam thënë gjithmonë se dua të qëndroj te Liverpuli për shumë kohë, dhe nuk kam ndryshuar mendim”. Gjithmonë sipas anglezes “Mirror”, klubi bardhezi po mendon edhe për dy trajnerë të tjerë: për ish-teknikun e Interit, Roberto Mançini dhe Aleks Del Pieron, i cili mund të mbulojë dy pozicione, atë të lojtarit edhe të teknikut të Juventusit. Për momentin, Rajkard, Donadoni, Rafa Benites dhe Del Piero janë thjesht hipoteza, pasi drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” vazhdojnë të konfirmojnë teknikun aktual Klaudio Ranieri. Është e sigurt që kohëzgjatja e Ranierit në krye të pakinës bardhezi është në varësi të rezultateve të skuadrës në vazhdimësi.