01 shtator 2008

Xhilardino: E prisja këtë gol!

Eshtë në “qiellin e shtatë” Alberto Xhilardino pas golit të barazimit ndaj Juventusit. Një pikë që ish?milanisti i ka dhënë Fiorentinës: “Mezi e prisja këtë gol ndaj Juventusit, sepse për mua është e rëndësishme të shënoj çdo javë, në mënyrë që të rritem edhe më shumë. Pastaj, ka një shije të veçantë ta realizosh kundër një ekipi të madh dhe që është favorit për të marrë titullin. Ndihem shumë mirë dhe i falenderoj shokët e skuadrës, trajnerin Prandeli dhe sidomos tifozët për mbështetjen dhe ngrohtësinë që më kanë transmetuar që në momentin kur mbërrita në këtë skuadër. Fizikisht dhe psikologjikisht jam shumë mirë dhe ndjej besimin e ambjentit përreth meje. Më vjen keq që barazuam, sepse nëse në pjesën e parë do të kishim luajtur më hapur mund të kishim barazuar dhe ndoshta e fitonim ndeshjen. Goli? Për fatin e mirë topi ndaloi në rrjetë, sepse humba shumë raste të tjera për të realizuar”.

Prandeli: Barazimi vlen sa fitorja!

Prandeli është i kënaqur nga pika e marrë me Juven: “Për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet dhe se si shkoi rezultati, mendoj se barazimi është i ngjashëm me një fitore në këtë rast. Energjitë ishin duke na mbaruar në fund, sepse mbetëm edhe me dhjetë vetë, por djemtë besuan dhe nuk u dorëzuan. I përgëzoj për këtë. Për të parën herë pashë se ishim në një nivel me një kundërshtar të fortë”.

Xhila “ngrin” Juven!

“Buzëqeshja” e Juventusit “ngrin” një minutë nga fundi i ndeshjes, kur Alberto Xhilardino barazon golin e Pavel Nedvedit dhe bardhezinjtë largohen me një pikë nga “Artemio Franchi” përballë Fiorentinës, që edhe pse me dhjetë vetë, pas kartonit të kuq (dy të verdha) të marrë nga braziliani Felipe Melo, i përgjigjen “Zonjës”. Një rezultat tepër i rëndësishëm ky i arritur nga vjollcët e Prandelit, përballë ekipit të Ranierit, tek i cili kanë shkëlqyer sidomos Kamoranezi dhe Nedved, por mbrojtja ka treguar edhe njëherë se mungesa e Kielinit vihet re, sidomos në qendër të zonës së Bufonit. Pjesa e parë ka qenë me ritëm të ngadaltë dhe ka mjaftuar një kombinim çek mes Grigerës dhe Nedvedit për t’i dhënë avantazhin Juves, e cila i është afruar golit të dytë me anë të Del Pieros, që ka gabuar përballë Freit, ndërsa në pjesën e dytë vendasit e kanë rritur presionin dhe, pas një sërë rastesh, kanë barazuar.