01 shtator 2008

Xhemajli kalon te Torino

Futbollisti shqiptar nga Maqedonia me pasaportë zvicerane, Blerim Xhemajli, e ka braktisur Boltonin për skuadrën nga Serie A, Torino.Skuadra italiane ka nënshkruar me mesfushorin e Boltonit një kontratë e cila e huazon atë një vit në Stadio Olimpico të Torinos. Kalimi i 22-vjeçarit në Itali ka kushtuar 750.000 euro. Në fund të këtij sezoni Torino do ta ketë mundësinë të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me ish-futbollistin e FC Zurich. Përfaqësuesi i Zvicrës në fillim të vitit 2007 nënshkroi një parakontratë për t’iu bashkëngjitur Boltonit, mirëpo pas kësaj pësoi një lëndim të rëndë të ligamentit që i pamundësoi kalimin në Premiership asokohe. Sidoqoftë kah mesi i vitit të shkuar Xhemajli u bë zyrtarisht lojtar i Boltonit, mirëpo është paraqitur vetëm njëherë me fanellën e Bolton edhe atë si zëvendësues në ndeshjen për FA Cup kundër Sheffield United. Xhemajli është lojtari i dymbëdhjetë të cilin e ka transferuar Torino në afatin kalimtar veror.