01 shtator 2008

Milan, Ronaldinjo nuk mjafton!

Bolonja i prish festën Milanit, “San Siro”?s, por sidomos... Ronaldinjos! Sepse premiera kuqezi duhet të ishte edhe dita e parë e shkollës për talentin brazilian, i cili kishte tërhequr vëmendjen e 60 mijë spektatorëve të pranishëm në shkallët e stadiumit, për të ndjekur “magjitë” dhe spektaklin e ish?yllit të Barcelonës. “Gauço” nuk ka zhgënjyer, përkundrazi, ka dhuruar një “shou” personal, duke “dehur” mbrojtjen kundërshtare, duke i dhënë shokëve të skuadrës topa të “artë”, të pashfrytëzuar dhe duke iu afruar golit (shumë raste për kuqezinjtë, me Shevçenkon, Inzagin, Sedorfin, Paton, Ambrozinin, të gjithë të pasuar nga këmbët e Dinjos). Por, kanë qenë kuqeblutë surpriza e vërtetë e debutimit në kampionat, sepse me katër raste të krijuara gjatë gjithë 90 minutave, kanë realizuar jo pak, por dy gola, duke fituar takimin, duke mposhtur “Djallin”, duke kthyer retë e krizës së kokën e Karlo Ançelotit, duke i ngrirë buzëqeshjen Dinjos, duke e bërë të hidhur kthimin e Shevës dhe duke i dhënë një “mësim” të mirë vendosjes “alla braziliana” të Milanit. Ka mjaftuar një Marko di Vaio në superformë (goli i parë i formacionit bolonjez është shënuar nga ish?sulmuesi i Xhenoas) dhe një supergol i Valianit, për të “gjunjëzuar” kampionët e botës, përpara syve të tifozëve, brenda shtëpisë, si për të kujtuar se tani lojërat bëhen serioze dhe në mes janë tre pikët... Ndonjëherë vetëm klasi nuk mjafton, duhen edhe “punëtorët”: Milani duhet ta ketë kuptuar këtë me një humbje që djeg, në pritje të rikuperimit të Kakasë, Nestës, Gatuzos dhe Senderosit.

“Na duhet ende shumë punë!”

Pavarësisht se skuadra e tij nuk ka fituar, përsëri Ronaldinjo është shfaqur i buzëqeshur. “Nuk mund të jem i kënaqur kur skuadra nuk fiton, por është vetëm ndeshja e parë dhe gjithçka mund të rikuperohet duke punuar. Kemi një skuadër të madhe dhe mund të fitojmë çdo ndeshje në vazhdim. Roli im në fushë? Nuk ka asnjë problem, sepse kam luajtur si në të majtë ashtu edhe në qendër. E rëndësishme është të vazhdojmë të punojmë. Në pjesën e dytë kundër Bolonjës kemi luajtur shumë mirë, kishim shumë raste për shënim, por fatkeqësisht nuk arritëm të shënonim golin e dytë. E përsëris, duhet të vazhdojmë të punojmë, sepse vetëm kështu mund të shkojmë drejt sukseseve. E dimë që do të jetë e vështirë, sepse shumica e futbollistëve kanë vetëm katër ditë që stërviten bashkë dhe kjo ka qenë një mangësi, sidomos për trajnerin”.

Ançeloti: Eshtë java e parë, të mos dramatizojmë!

Silvio Berluskoni, presidenti i Milanit, e ka takuar pas ndeshjes, dhe i ka shprehur atij që mos mërzitet. “Lart me moralin”, i ka thënë ai. Në fund të fundit ishte vetëm ndeshja e parë. Por Ançeloti nuk është dakord me këtë humbje. “Nuk mendoj se ka patur mungesa të mëdha, por ishte një ndeshje pak ndryshe. Ishte një ndeshje e mirë. Sulmuam për 90 minuta dhe jemi ndëshkuar në dy raste ku Bolonja ishte më e qartë. Mund të kishim qenë më të bashkuar por fizikisht nuk mund të bënim asgjë më shumë”. Gjithsesi Ançeloti nuk dëshironte të humbte pas numrave që kishte bërë në fushë Ronaldinjo. “Këto janë surprizat e fillimit ta kampionatit. Bolonja është një skuadër shumë e përgatitur dhe ne nuk jemi në maskimumin tonë. Duhet të punojmë akoma shumë dhe duhet që lojtarët e rinj të përshtaten. Mora përshtypjen se kjo skuadër mund të bëjë shumë gjëra të mëdha”. Ndërsa përsa i përket Ronaldinjos ai tha: “Punoi shumë mirë, optimizmi im erdhi si pasojë e formës së tij”. Më pas tha: “Nuk ka pse të qesh për të qenë optmist. Duhet të keni besim”. Në pjesën e dytë ishte koha e aktivizimit të Shevës dhe Patos. “Duhet të punojmë akoma shumë, dhe duhet të kemi më shumë kujdes në mbrojtje, nuk duhet të bëjmë gabime. Gjithsesi kjo ishte ndeshja e parë e kampionatit por duhet të presim edhe dy javë për të riparë sërish Milanin”.

Shevçenko: Falenderoj tifozët!

Andrij Shevçenko ka patur ditën e tij më të lumtur. Me rikthimin e tij në “San Siro”, të gjithë tifozët e Milanit e kanë pritur me ovacione, duatrokitje dhe kore. “Dua të falenderoj tifozët për pritjen që më kanë bërë. Nuk e prisja një gjë të tillë dhe i jam shumë mirënjohës. Humbja? Milani luajti mirë, krijoi shumë raste për shënim, por nuk arriti t’i konkretizonte. Mendoj se në ndeshjen e ardhshme do të bëjmë më mirë. Goli i humbur? U tregua i zoti Antonioli. Berluskoni? I lumtur për lojën që zhvilluam, por jo për rezultatin e arritur. Më vjen shumë keq për mënyrën se si shkuan gjërat. Kishim mundësi të merrnim tri pikët dhe kisha mundësi të shënoja, por ja që ndonjëherë nuk merr atë që meriton. Sidoqoftë, jam i bindur se ky grup është i jashtëzakonshëm dhe me rikthimin e Kakasë dhe disa futbollistëve vendimtarë do të shihet një Milan edhe më i fortë”.

Zambrota: Ishte një ditë e pafat!

Xhanluka Zambrota është i mërzitur me humbjen që morën kundër Bolonjës. Kjo humbje ishte e pamerituar sipas mbrojtësit kuqezi. “Në pjesën e parë sulmuam aq shumë sa nuk po dilnin nga porta. Në ndeshjet kundër skuadrave të vogla duhet t?_tosh por ata arritën të shënonin dy herë me dy gjuajtje që bënë në portë gjatë gjithë lojës. Ishte një ditë e keqe dhe kaq. Ronaldinjo? E pashë në një formë shumë të mirë dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë ne, sepse ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm për skuadrën tonë”.