09 shtator 2008

Çmendet trajneri Ari Han: Me fat do të dalim të dytët

Holandezi për rivalët: Hungaria pa yje, nordikët të vjetërAri Han nuk përmbahet më. Trajneri i Kombëtares deklaron se tashmë skuadra e tij mund t‘i mbyllë eliminatoret në vendin e dytë në grup, edhe pse pohon se objektivi kryesor është pozicionimi të katërtit, përpara Hungarisë. Fjalët janë thënë për të përditshmen holandeze, "DePers". 59-vjeçari bën një analizë të përgjithshme të kundërshtarëve në Grupin 1, ku luan Shqipëria, duke treguar se Portugalia është skuadra e vetme, të cilës i trembet.Pak ditë përpara sfidës me Suedinë, Ari Han deklaronte se nuk ishte i kënaqur me barazimin, por synonte t‘u "rrëmbente" tri pikët nordikëve. Megjithatë, në fund të ndeshjes, së përfunduar në barazim 0-0, trajneri qëndroi në tunelin nga ku hyn për në dhomat e zhveshjes dhe dukshëm i kënaqur përqafoi të gjithë futbollistët. Ishte pika e tij e parë me Shqipërinë dhe një debutim mjaft pozitiv në stolin kuqezi. Tashmë vjen edhe "bomba" e radhës: dëshira dhe "shanset" për vendin e dytë në grup. Edhe pse e dëgjuar në këtë mënyrë, mund të duket një ëndërr e vështirë për t‘u realizuar, Han duket se i ka bërë llogaritë në mendjen e tij. Për barazimin është i kënaqur, sepse humbi, por trajneri thekson se, "as nuk fitova". Të mërkurën me Maltën, përfaqësuesja do të ketë një test të vështirë. Jo shumë për emrin e kundërshtarit, sesa për faktin që skuadrat modeste i nënvlerësojmë dhe thuajse gjithmonë stonojmë në fushë. Fitorja do të bënte që Shqipëria të kishte 4 pikë në grup, duke i pozicionuar kuqezinjtë në pozita pretendentësh, ku si kundërshtarë kemi edhe Portugalinë, Danimarkën e Hungarinë. "Në këto eliminatore shiheshim si skuadra e pestë për nga rëndësia në grup, por objektivi ynë është të klasifikohemi të katërtit", tha Ari Han. "Por, nëse paraqitemi mirë dhe do të kemi fat, mund të shkojmë edhe më tej. Hungaria nuk ka një skuadër të madhe, ndërsa Suedia dhe Danimarka bazohen te loja e futbollistëve të mëdhenj në moshë. Nëse kemi shumë fat, është e mundur që ta mbyllim edhe në vendin e dytë". Mbase ky do të ishte rasti që edhe Han të konfirmohej në arenën ndërkombëtare dhe të bindte Evropën për aftësitë e tij.Gjithsesi, trajneri qëndron i përqendruar për të përgatitur sfidën së mërkurës me Maltën. Në intervalet gjatë seancave stërvitore plotëson faqe të tëra me shënime në bllokun personal: emra, skema, statistika. Nuk e shkëput asnjëherë nga dora, as kur pi kafe, edhe sepse krahu i tij i djathtë, De Jong, i jep sugjerime të vlefshme, si për shembull se Mishel Misfud (luan te Koventri Siti, në Angli) është lojtari më i rrezikshëm i maltezëve. "Në të kaluarën, Shqipëria dukej sikur stërvitej për të humbur. Madje, mund t‘ju them se përpara ndeshjes së të shtunës, futbollistët ishin shumë të frikësuar nga Zlatan Ibrahimoviç, përfundoi Han. Dua që të gjejnë një mënyrë për të fituar dhe këtë e kërkoj që prej sfidës me Maltën. Mendoj se kjo ndeshje do të jetë dy herë më e vështirë sesa ajo me Suedinë. Jam kurioz të shoh se sa loja e skuadrës do t‘i përshtatet asaj që unë kërkoj".