JUVELIVE

04 shtator 2008

Han: Shpresoj që Ibra të mos jetë mirë

Pas tri ditëve të para të grumbullimit, Ari Han bën një rezyme të punës me kuqezinjtë në prag të eliminatoreve të Botërorit 2010. Shqetësimi kryesor i trajnerit është se Kombëtarja shqiptare nuk i përgjigjet filozofisë së tij për lojën. Kjo bën që për momentin të jetë Han ai që duhet të përshtatet. “Kemi bërë një punë të mirë, por filozofia ime për futbollin është e ndryshme nga ajo që Shqipëria ka praktikuar më parë”, tha Han. “Për momentin, jam unë ai që duhet të përshtatem, pasi nuk kam pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion për të vënë në jetë filozofinë time. Me këtë dua të them se skuadra nuk do të luajë ndryshe nga më parë”. Ashtu siç e ka thënë që në momentin e prezantimit në detyrë, drejtuesi i stolit kuqezi kërkon të ndërtojë një “Holandë të vogël”, me futboll sulmues dhe lojë të shpejtë. Por, edhe pse po përpiqet që t’i shpjegojë futbollistëve se çfarë kërkon prej tyre, ai është i shqetësuar për një nga problemet kryesore: mentaliteti individual. “Kemi punuar që futbollistët të dinë rolin e tyre në fushën e lojës, por pa harruar se duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Suedia nuk është kundërshtari më i fortë i grupit tonë, pasi ne ndodhemi në një grup shumë të vështirë. Do të përpiqemi që ndeshjen e parë ta mbyllim në avantazhin tonë, pra me rezultat pozitiv, edhe pse e kemi të qartë se nuk do të jetë e lehtë”, theksoi ai. Më “problematiku” duket se është Besart Berisha, një lojtar i nevojshëm për lojën sulmuese nga krahët, por që e ekzagjeron me mbajtjen e topit. “Nuk e njoh mirë, megjithatë nga ky grumbullim mund të them se ai nuk luan ashtu siç e kërkoj unë, shpjegoi Han. Kam folur gjatë më të dhe shpresoj që ai të ndryshojë. Ka kohë për këtë”. Këto fjalë mund të interpretohen ndryshe si një paralajmërim se kosovari i Rozenborgut mund të rrezikojë vendin në formacionin titullar.Për sa i përket 11 lojtarëve që do të zbresin në fushë, tekniku pohoi se ka ende disa dyshime. 59-vjeçari tha: “Disa pozicione të formacionit ende nuk i kam studiuar, por mendoj se në stërvitjet e fundit do të kem një ide më të qartë. Në sfidën e së shtunës pres që skuadra të luajë në mënyrë të kujdesshme, pasi si kundërshtar kemi Ibrahimoviçin. Ai është një lojtar i veçantë, por ende nuk e kam menduar se kush do ta mbulojë. Gjithsesi, shpresoj që në Tiranë të mos jetë në një ditë të mirë. Duhet të luajmë mirë dhe me sa më shumë fantazi. Në të ardhmen na presin ndeshje edhe më të vështira”. Prej tri edicionesh radhazi Shqipëria nuk humbet në ndeshjet e para eliminatore. Në vitin 2001 kuqezinjtë barazuan 1-1 me Zvicrën në Euro 2004. Më pas, në 4 shtator 2004, kuqezinjtë fituan 2-1 me Greqinë për Botërorin 2006, që sapo ishte shpallur kampione e Evropës, ndërsa në eliminatoret e Euro 2008 filluan me barazimin 2-2 në fushën e Bjellorusisë.