09 shtator 2008

Alonso mund të largohet në janar

Mbetet e paqartë situata rreth të ardhmes së mesfushorit Xabi Alonso në Liverpool, pasi që agjenti i tij nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit të spanjollit që në afatin kalimtar të janarit.Alonso ishte pjesë e spekulimeve për transferim gjatë gjithë verës, pasi u bë e qartë se Benitez nuk e sheh atë si një pjesë të rëndësishme të mesfushës. Alonso u përfol se ishte afër nënshkrimit me Juventusin, por marrëveshja dështoi kur të kuqtë refuzuan ta ulin çmimin e lojtarit, që kap shifrën e 16 milionë funtave.Interesim për Alonson shprehu edhe Arsenali, por dështimi i të kuqve për të transferuar Gareth Barryn nga Aston Villa nënkuptoi që spanjolli do të mbetej në Anfield.“Do të shohim çfarë do të ndodhë në janar. Për momentin Xabi është i koncentruar në lojën e Liverpoolit. Nuk është arritur asnjë marrëveshje për të shitur atë, andaj ai mentalisht është lojtar i Liverpoolit. Janari është ende larg”, ka thënë agjenti i lojtarit.Alonso aktualisht është i mbledhur me kombëtaren fituese të Euro 2008, Spanjën, për ndeshjen e të mërkurës kundër Armenisë, të vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Botërorë 2010.