
Pyetjes së drejtuar se çfarë e ka shtyrë të kthehet, nga dera e prapme, në botën e futbollit, Robi Baxhio i përgjigjet thjeshtë: "Tani kam rikuperuar forcat, fizikisht dhe mendërisht, dhe jam gati për këtë sfidë të re. Jam plot entuziazëm. Dhe mund t'i ofroj këshillat e mia të rinjve italianë. Mbi të gjitha për mënyrën sesi të arrijnë të përballojnë kundërshtarët dhe presionin që ekziston në momente të caktuara në karrierën e tyre". Më pas, Baxhio ka ftuar të merret shembull Lionel Mesi, "që luan si një fëmijë në parket. Futbolli i tij është komplet i pavarur nga taktika", dhe zbulon se është i apasionuar pas Boka Juniors: "Kam parë tifozët e tyre të këndonin pa pushuar edhe përballë një humbje 0-4, në Amerikën Latine mendohet për futbollin në mënyrën e duhur". Në mbyllje, fjalë të bukura edhe për Pep Guardiolën, një mik dhe fati i vërtetë për argjentinasin Lionel Mesi: "Fati i tij është të ketë një trajner si Pep Guardiola. E njoh shumë mirë Pep nga periudha kur unë dhe ai luanim bashkë tek Breshia. Gjithçka që ka të bëjë me Barcelonën më pëlqen jashtëzakonisht shumë".
Numra dhe magji, vlerësime dhe fitore, dëmtime dhe zhgënjime. Ato që janë kaluar me dy trajnerë të mëdhenj dhe dy legjenda të bankinës, siç janë Arrigo Saki dhe Marçelo Lipi, por me të cilët Baxhio ka pasur gjithmonë probleme: "Nuk kam kuptuar asnjëherë me të vërtetë motivin e të gjithë këtyre problemeve me ta. Mbase kanë qenë xhelozë për dashurinë e madhe të njerëzve ndaj meje. Më kanë dashur shumë edhe tifozët kundërshtarë. Mbase i vidhja atyre skenën në një epokë, në të cilën trajnerët janë gjithmonë e më shumë protagonista, mbase edhe më shumë se skuadra dhe kampionët. Futbolli modern synon të vlerësojë narcizimin e atyre që qëndrojnë në bankinë". Siç ka pasur mundësi ta thotë shumë herë, e vetmja keqardhje është ajo penallti e humbur në Botërorin Amerikë 1994. "Ka përfunduar tre metra sipër traversës. Diçka e pabesueshme për një njeri si unë që nuk kishte goditur asnjëherë një penallti jashtë porte. Maksimumi ishte arritur të pritej nga portieri. Tifozët brazilianë kanë thënë gjithmonë që është një ngjarje mbi njerëzore. Falenderojnë Airton Senën, sepse thonë që vetëm ai, që kishte vdekur dy vite më parë në një garë në Imola, nga parajsa mund të dërgonte atë top jashtë porte". /JUVENEWS.TK/