JUVELIVE

16 tetor 2010

Melo: Nuk jam aq i keq sa ç’thuhet!

Braziliani i Juventusit justifikohet për lojën e tij të fortë: Nuk kam dëmtuar kurrë njeri

Felipe Melo ka ndër mend të sqarojë shumë keqkuptime rreth tij. Mesfushori i Juventusit, pas zhgënjimit në Botëror me Brazilin, e ka nisur me këmbën e mbarë sezonin e ri, duke punuar dhe bërë për vete trajnerin e ri Xhixhi Del Neri. Ajo që e ka nderuar është vendosja e tij në fushë, më pak e ashpër në krahasim me të shkuarën, që e ka bërë lojtarin të ketë një rendiment të lartë. “S’është nevoja të bashkosh karakterin e një lojtari me agresivitetin, - thotë Melo.

- Pas Botërorit më cilësuan si jo korrekt, por nëse do të shikonit karrierën time, unë nuk kam dëmtuar asnjëherë njeri. Jam i ashpër, grintoz, por gjithnjë korrekt”. Pas kartonit të kuq që mori kundër Holandës, mesfushori bardhezi, u përkufizua nga shumë njerëz si përgjegjësi kryesor i dështimit brazilian në Afrikën e Jugut. Melo justifikohet: “Kur mora kartonin e kuq ne ishim në disavantazh, - shpjegon mesfushori bardhezi, - dhe në një farë mënyre e kuptuam të gjithë se nuk do të arrinim të përmbysnim rezultatin.

Në fund të ndeshjes derdhëm lot të gjithë, edhe Dunga, por asnjë s’më tha gjë”. Mes tij dhe Dungës u krijua një raport i vërtetë vëllazëror: “”Për mua ka qenë më shumë se një trajner, - shpjegon Melo, - sot mund të them se është një mik i ngushtë më shumë. Trajneri i ri Menezes nuk më ka grumbulluar pas Botërorit? Nëse drejton Brazilin e meriton, unë pastaj e di sesa vlej.

Jam një lojtar i madh, braziliani më i paguar i Juventusit, një nga klubet prestigjiozë në botë. Unë bëj detyrën time, jap maksimumin dhe vazhdoj të ëndërroj për t’u rikthyer në kombëtare. Dhe nëse luaj mirë, trajneri brazilian s’mund të mos më thërrasë. Ai e ka për detyrë t’i vëzhgojë të gjithë brazilianët. Di se do të shohë disa ndeshje në Europë, e ftoj për të parë edhe ndoshta Milan-Juventus…”.

Në pritje të rikthimit në kombëtare, Melo mendon të fitojë edhe me Juven: “Leçe e Bolonja janë prova e vërtetë për këtë Juventus, - shpjegon braziliani. - Dua gjashtë pikë për të shkuar në “San Siro” si protagonist, të shijoj një mbrëmje të madhe dhe ndoshta të zbavitem pak. Ndeshjet me Mançester Sitin e Interin treguam se mund të luajmë kundër të gjithëve, por deri tani kemi munguar në ndeshje teorikisht të thjeshta. Duke bërë pikë në ndeshje të tilla bëhesh i madh”.