19 tetor 2010

Juventusi, lëvizja fituese e Del Nerit

Juve: la mossa vincente di Delneri

Juventusi i ri ka gjetur modulin e duhur. Puna e Xhixhi Del Nerit, pas tre muajsh stërvitje, fillon të duket dhe jo rastësisht, kanë nisur të vijnë loja dhe rezultatet. Ajo që ka rënë në sy, është se përveç rritjes së personalitetit dhe sigurisë së lojtarëve bardhezinj, sekreti i vërtetë i Juves erdhi kur trajneri ka braktisur modulin e tij historik, 4-4-2, për të kaluar te një jo shumë i maskuar 4-3-3.

Kundër Interit erdhi e reja e vërtetë: mbrojtja e zakonshme me katër, mesfusha me tre, me Melon, Akuilanin e Markizion, edhe pse lehtësisht i drejtuar nga e majta, Kualjarela e Krasiç, që nisen nga krahët, por të lirë për të dalë në qendër dhe një sulmues fiks (Amauri ose Iakuinta). Një 4-3-3 modern.

Për Del Nerin nuk duhet të ketë qenë e lehtë braktisja e modulit të tij klasik, por me siguri e ka kuptuar që për të shfrytëzuar cilësinë e dy lojtarëve juventinë në gjendje për të bërë ndryshimin, Krasiç e Akuilani, kishte nevojë të rregullonte diçka. Sakrifica më e madhe iu kërkua Markizios, i aftë të shfaqë instiktin sulmues dhe të ndihmojë Krasiçin ose Akuilanin, kur të dy dalin përpara.

Mbulimi i Melos së rilindur dhe Markizios, e lejon Akuilanin të mos kujdeset për organizimin e lojës dhe të ketë më shumë liri në detajimin e kohës së lojës. Dhe në të njëjtën kohë i jep Krasiçit, mundësinë të zhvendoset në rol sulmues. Një tjetër lojtar i vlefshëm, që e ka lejuar Del Nerin të bëjë këtë variacion strategjik, është Kualjarela. Ish-sulmuesi i Napolit di të niset nga larg, di të mbulojë kur duhet dhe është sulmuesi klasik i lëvizshëm, që nuk u jep pika referimi mbrojtjeve kundërshtare.

Duhet specifikuar që Juventusi në organikë nuk ka lojtarë të ngjashëm me Akuilanin (mungesa e tij mund të jetë një problem), ndërsa Kualjarela mund të zëvendësohet si nga Martinez, ashtu edhe nga Iakuinta. Rrezikojnë të penalizohen Pepe, që po lodhet të gjejë hapësirë dhe Del Piero, i cili po tregon besueshmëri për aq minuta sa luan.

Pra, Del Neri, për të mirën e “Zonjës”, ka parapëlqyer të përshtasë modulin e tij të dashur 4-4-2 për lojtarët që kishte në dispozicion, duke pasur një inteligjencë të madhe taktike. Juventusi ka rilindur edhe për këtë: jo vetëm lojtarë të rinj, por edhe modul i ri.

Nga Beslind Dragusha