Mbrojtësi italian i Juventusit shpreson që në një të ardhme të mbajë shiritin e kapitenit në ekipin bardhezi.“Shpresoj shumë, pasi jam rritur këtu. Mbërrita që kur isha 21 vjeç, kam pasur shumë përvoja që më kanë rritur”, pohoi qendërmbrojtësi gjatë një interviste në një emision televiziv në Itali. I pyetur mbi zërat e fundit lidhur me të ardhmen e portierit Xhanluixhi Bufon, Kielini tha: “Nuk e di. Kam folur me të, por kjo është një zgjedhje personale. Shpresoj të qëndrojë me ne dhe ndërkaq, e presim të rikthehet në fushë”.
I pashmangshëm një mendim për ngjarjet e shëmtuara në stadiumin e Xhenovas, ku huliganët serbë shfaqën akte dhune para ndeshjes Itali-Serbi: “Më tepër më vjen keq për fëmijët. Për ata që na shoqëruan në fushë dhe na pyetën se ç’po ndodhte. Portieri i tyre ishte i tmerruar, aq sa u fut në dhomën tonë nga frika se ultrasit do t’i vinin në dhomën e tyre. Duartrokitjet e futbollistëve serbë? Provuan t’i qetësojnë tifozët e tyre. Pastaj ishin në lot dhe na kërkuan falje”.