JUVELIVE

17 tetor 2010

Del Neri: Juventusi ka nevojë për Akuilanin

Trajneri bardhezi do t’i besojë ish-mesfushorit të Romës kundër Leçes

Del Neri bllokon Amaurin dhe beson tek Akuilani. “Juventusi ka nevojë edhe për cilësi dhe Akuilani sigurisht ka shumë”. Tekniku i Juventusit ka bërë të ditur se mesfushori do të luajë nga minuta e parë kundër Leçes. Do të jetë një ndeshje vendimtare për bardhezinjtë: “Leçe është një skuadër e mirë, - ka shpjeguar Del Neri, - ka barazuar me Palermon dhe ka mundur Katanian. Amauri? Nuk ka rekuperuar akoma formën e tij më të mirë, do të vendos para ndeshjes nëse do të luajë”.

Kundër Leçes nuk do të ketë ndryshime taktike. “Mentaliteti është thelbësor, - ka sqaruar Del Neri, - ne duhet të kërkojmë fitoren në çdo ndeshje. Kundër Leçes nuk do të ketë ndryshime taktike, pas stërvitjes së fundit do të vendos se në çfarë mënyre do të pozicionohemi në fushë: kush është në formë do të luajë, kush ka probleme do të qëndrojë jashtë”. Ka më shumë mundësi që në sulm të luaj dyshja Del Piero-Kualjarela se sa Amauri-Kualjarela. Ndërkohë, tekniku i Leçes, De Kanio, ka thënë në lidhje me ndeshjen e sotme: “Do të kërkojmë të japim maksimumin kundër Juventusit”.

Leçe është gati të sfidojë Juven me rifillimin e kampionatit. “Ndeshjet përgatiten, më pas varet nga ajo që futbollistët arrijnë të vënë në praktikë në fushën e lojës, - ka thënë trajneri i verdhekuqve. - Do të luajmë si një skuadër. Do të përballemi me disa kampionë, Juve nuk është në krizë, përkundrazi. Kam parë ndeshjen kundër Interit, mbrohen dhe kundërsulmojnë shumë mirë. Ne do të kërkojmë të marrim maksimumin nga kjo ndeshje”.