Palermo mund ta kthejë me zor Ujkanin
Krerët e skuadrës italiane Palermo mund ta kthejnë gjatë miniafatit kalimtar të janarit portierin kosovar Samir Ujkani nga ekipi Novara, ku po luan si huazim. Ujkani 21-vjeçar të hënën ka deklaruar për "Kohën Ditore" se nëse ndodh të kthehet në Palermo, atëherë ky veprim do të ishte i kundërt me dëshirën e tij. Ai dëshiron të mbetet te Novara deri në fund të këtij edicioni, pasi punët po i shkojnë mirë dhe ekipi është në vendin e parë në kategorinë e tretë të Italisë. "Palermo do të vendosë se çka do të ndodhë me mua, pasi jam i tyre dhe më kanë huazuar te Novara. Është biseduar dhe po bisedohet vazhdimisht kohët e fundit për kthimin tim te Palermo, pasi ata dëshirojnë të shesin njërin nga dy portierët", ka deklaruar Ujkani. "Me mua ende personalisht nuk kanë biseduar, por unë nuk jam i pajtimit të kthehem te Palermo, sepse dua të qëndroj te Novara deri në qershor". Sipas Ujkanit asgjë ende nuk është zyrtare, por ai vlerëson se kthimi i tij te Palermo gjatë janarit nuk do të jetë hap para në karrierën e tij."Nëse rikthehem tash do të ishte një hap prapa për mua, sepse sërish do të jem portier i dytë dhe unë për këtë aspak nuk jam i interesuar. Për mua ka rëndësi vetëm të luaj, tash e kam kohën", tha ai. "Nëse mbetem te Novara dhe shpresoj që kërkesa ime për të qëndruar këtu do të merret parasysh nga Palermo, atëherë do të fitoj shumë më shumë përvojë, që më vonë do të mund t'i hynte në punë edhe vetë Palermos".Ujkani edhe më herët pati potencuar se dëshiron të kthehet në Palermo, por vetëm ku i garantohet vendi i titullarit, jo si zëvendësues. Gjatë paraqitjeve me Novaran në Serie C1/A, ai ka siguruar edhe vendin e titullarit në Kombëtaren shqiptare..