JUVELIVE

05 janar 2010

FA pret qëndrimin e Capellos

Drejtori ekzekutiv i Federatës angleze të Futbollit (FA), Ian Watmore, beson se Fabio Capello do të mbetet në postin e selektorit të ekipit deri pas Kampionatit evropian 2012. Së fundi spekulohej se Capello mund të tërhiqet pas Kampionatit botëror që zhvillohet gjatë kësaj vere në Afrikën e Jugut. Ndërsa menaxheri i Fulhamit, Roy Hodgson, ishte konsideruar si pasardhës i mundshëm.
Por, Watmore ka thënë: “Ne presim që Fabio Capello të mbetet në detyrë sipas kontratës së tij që vlen deri në verën e vitit 2012. Njoftimet rreth emërimit të Roy Hodgson apo ndonjë menaxheri tjetër janë të pavërteta. Fabio Capello ka bërë të qartë se pret të vazhdojë detyrën e tij pas Kampionatit botëror dhe gjatë kampanjës për Euro 2012”.
Capello ishte i suksesshëm në fushatën kualifikuese për Kampionatin botëror pas emërimit si selektor i Anglisë. Ai nënshkroi kontratë për katër vjet e gjysmë në dhjetor 2007 – me vlerë prej 6 milionë funtesh në vit – me mundësi të largimit pas garës së këtij viti. Por, italiani nuk ka dhënë indikacione se synon të tërhiqet para Euro 2012, garë për të cilën shorti do të tërhiqet në Warsaw më 7 shkurt.