JUVELIVE

25 nëntor 2009

Portieri shpëton macen, zverdhet

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në ligën e parë kroate, HNL, ku portieri i ekipit Medjumurje, Ivan Banovic, është ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari Marco Matoc, për shkak se e kishte larguar nga fusha një mace bardhë e zi, e cila gjendej shumë afër portës së tij.
Macja rrezikonte të shtypej nga futbollistët, pasi që te porta e Banovicit po krijoheshin raste të njëpasnjëshme. Banovic përfitoi nga një pauzë e shkurtër e lojës, duke e larguar macen deri në afërsi të tribunave.
Me t’u rikthyer në fushë, portieri kroat ndëshkohet me karton të verdhë nga gjyqtari, pasi që e kishte lëshuar fushën pa leje. Publiku i stadiumit Sibenik, ku ekipi Medjumurje ishte mysafir, e ka vërshëllyer tej mase vendimin e gjyqtarit, ndërsa e ka duartrokitur për një kohë të gjatë portierin e skuadrës kundërshtare.
Në Kroaci, të hënën dhe të martën është kritikuar ky gjyqtar nga të gjithë, për ndëshkimin e portierit, ndërsa kolegët e tij e kanë mbrojtur: “Ai vetëm i ka aplikuar rregullat e futbollit”, thonë gjyqtarët kroatë. Sa për informatë, Medjumurje është mposhtur me rezultat 1:0 nga Sibeniku, i cili tash gjendet në pozitën e dytë të tabelës.