02 nëntor 2009

Ferrara: Juventusit i duhet një psikolog

Do të duhet një psikolog te Juventusi për të kuptuar se si një skuadër mund të kalojë në harkun e tri ditëve nga shou ndaj Sampdorias në vetëvrasjen kundër Napolit. Dhe mbi të gjitha nga 2-0 në minutën e 12 të pjesës së dytë në 2-3 në fund, me tre gola të pësuar në 23 minuta. "Më shqetëson kur humbet në këtë mënyrë, edhe sepse kjo humbje është e pashpjegueshme. Është një grusht në fytyrë, që dhemb, dhemb shumë". Çiro Ferrara është i zhgënjyeri i parë i një Juventusi, që duhet të jepte përgjigje për vazhdimësinë, por që rikthehet te veset e vjetra dhe të rrezikshme. "Nuk prisja të përsërisnim ndeshjen me Sampdorian, reflekton trajneri bardhezi, por nuk e prisja edhe këtë. Nuk besoj se kjo ulje-ngritje paraqitjesh të jetë për shkak të një problemi psikologjik, por tani është e vështirë të gjesh shpjegime". Të fortë kundër të mëdhenjve dhe të hutuar me të vegjlit: kështu u humb titulli sezonin e kaluar dhe jo rastësisht humbja e parë në shtëpi e Ferrarës është e njëjtë me atë të Juventusit të fundit në Olimpiko. 2-3 ndaj Kaliarit më 31 janar 2009. Juve e gjen veten edhe një herë plot dyshime. "Është e vështirë të gjesh një shpjegim, thotë Çiro, edhe pse kur ishim 2-0 nuk pati më intensitet dhe ne nuk duhet të lëshonim pe: kjo do të na bëjë të reflektojmë". Gjatë stërvitjes së fundit trajneri është përballur me skuadrën ("Duhet të flasim për të harruar këtë humbje", thotë Trezege) edhe sepse të martën, në Izrael, është testi që nuk duhet dështuar. "Me Napolin ndeshja ishte e mbyllur, shpreh keqardhjen Ferrara dhe këtë gabim nuk duhet ta përsërisim më. Dëshironim të fitonim, por në fakt humbëm, ishim në avantazh dhe nuk e administruam".