JUVELIVE

26 nëntor 2009

Ëndërron Serinë A

Pasi ka arritur të zë vend në përbërjen e parë të AlbinoLeffes, Mehmet Hetemaj synon edhe më lart. Mesfushori kosovar me nënshtetësi finlandeze ka zbuluar se në të ardhmen ëndërron të luajë në elitën e futbollit italian Serie A, përkatësisht në njërin prej ekipeve të kryeqytetit italian.

“Ëndërr e imja, si e shumicës së futbollistëve, është që të arrij të luaj në Serie A një ditë. Ndoshta te Lazio, e cila është skuadra ime e preferuar”, ka thënë përfaqësuesi U21 i Finlandës për uebfaqen italiane bergamonews.it.

Si çdo futbollist, edhe Hetemaj inspirohet nga një lojtar i madh nga i cili mëson dhe mundohet ta kopjojë. “Si futbollist, unë mundohem t’i ndjek gjurmët e Vieiras së Inter, Gattusos së Milanit dhe të Palombos së Sampdorias”, u shpreh ai.

Pas vështirësive që kishte për t’u ambientuar në fillim të sezonit, në ndeshjet e fundit 21 vjeçari ka gjetur shumë më tepër hapësirë. “Hap pas hapi po vazhdoj të përshtatem tek AlbinoLeffe. Duhet të mësoj të mbetem gjithmonë i koncentruar në lojë. Jam i sigurt se me kohë mund dhe duhet të përmirësohem edhe më shumë për të dhënë gjithmonë diçka më shumë për këtë skuadër”, theksoi ish futbollisti i HJK Helsinkit.

Hetemaj shtoi se Albinoleffe duhet të punojë edhe më shumë, sepse në të ardhmen e presin ‘luftëra’ të vështira për ta mbërritur objektivin e vet – mbetjen në Serie B.

Mesfushori kosovar e ka lavdëruar edhe trajnerin Mondonico, për të cilin thotë se po e ndihmon të mësojë shumë gjëra.

“Ai po më ndihmon ta kuptoj se si funksionon futbolli italian. Kampionati italian është shumë më i vështirë, por Serie A më pëlqen shumë, si në aspektin se luhet këtu, ashtu edhe në atë të skuadrave”, përfundoi Hetemaj.

Mesfushori shtatlartë gjatë verës që shkoi u transferua si huazim tek ekipi nga Serie B italiane AlbinoLeffe nga ai grek Panionios.