Skuadra e Premier Ligës, Çelsi, do të tentojë të marrë në Angli sulmuesin e Valencias, David Vila, me një ofertë prej 28 milionë stërlinash në janar, sipas lajmeve të mediave angleze. “The News of the World” ka shkruar se klubi anglez do të sfidojë embargon e futjes në merkato - që i është imponuar nga FIFA - dhe nëse apeli i tyre ka sukses, atëherë objektivi i tyre i parë do të jetë ‘bastisja’ e stadiumit “Mestalla” për të marrë sulmuesin e përfaqësueses spanjolle. Trajneri i Bluve, Karlo Ançeloti, njihet si admirues i ‘El Guajes’ dhe është gati të hyjë në garë me Barcelonën, Real Madridin dhe Mançester Junajtid, që janë të interesuar për sulmuesin.Valencia i refuzoi në verë oferta prej 40 milionë eurosh, edhe pse ishte në krizë për fonde. Çelsi pritet të bëjë lëvizjen e vet për ish-sulmuesin e Real Zaragozës në janar, teksa Kupa e Afrikës do të bëjë që Didië Drogba, Salomon Kalu, Mikael Esien dhe Xhon Obi Mikel të mungojnë për një periudhë jo të shkurtër kohore. Vila ishte golashënuesi më i mirë i Euro 2008 dhe vjet shënoi 28 gola në Primera Divizion, duke ndihmuar skuadrën e tij të zinte një vend në Ligën Europa.