Pas humbjes nga Hysi, skuadra e Trepçës nuk ka arritur më shumë se një barazim përballë Gjilanit. Besa ka fituar si mysafire e KEK-ut, derisa Ferizaj ka mposhtur Drenicën. Vëllaznimi i është rikthyer fitores, ndërsa Kosova (V) dhe Prishtina kanë ndarë pikët, në ndeshjen e tensionuar.Kosova (V) – Prishtina 0:0
Kryendeshja e xhiros së 14-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, ndërmjet Kosovës së Vushtrrisë dhe Prishtinës, ka përfunduar pa gola. Në një ndeshje të nxehtë dhe me tensione, vendësit kishin më shumë nga loja, por nuk ia dolën ta gjenin fitoren.
Në pjesën e parë, loja është ndërprerë për më shumë se gjysmë ore, pasi tifozët prishtinas, Plisat, u përleshën me policinë, e cila nuk i linte të hynin në stadium.
“Momentalisht, një autobus me tifozë nga Prishtina po mbahet në stacion policor, janë duke u bërë disa procedura ndaj tyre. Ata janë ndalur për shkak se kanë hedhur gurë dhe gjësende të tjera, ku ndër të tjera ka mbetur i lënduar komandanti policor i stacionit policor të Vushtrrisë, i cili është dërguar më pas në qendrën klinike universitare të Prishtinës, për shkak të lëndimeve në kokë”, u shpreh zëdhënësi i rajonit policor të Mitrovicës, Besim Hoti.
Megjithatë, ndeshja vazhdoi rregullisht. Në pjesën e dytë, vushtrriasit e patën rastin më të mirë të ndeshjes, kur e goditën tërthorësen, ndërsa në të njëjtin rast, Berisha i prishtinasve e hoqi topin nga vija e portës, duke shpëtuar kështu gol të sigurt. Kjo humbje i zbret vushtrriasit në pozitën e fundit në tabelë, me pikë të njëjta me Vëllaznimin.
Vëllaznimi – Flamurtari 3:1
Vëllaznimi i është kthyer më në fund fitores. Gjakovarët e mposhtën të mërkurën Flamurtarin me rezultat 3:1. Vendësit e kryen punën në 10 minutat e para të ndeshjes. Fisnik Papuqi e shënoi golin e parë në minutën e nëntë, ndërsa një minutë më vonë, epërsinë e dyfishoi Gjergj Bushaj.
Ndërsa, sulmuesi Alban Bekteshi, i cili në pjesën e parë qëlloi tërthorësen, e gjeti golin në minutën e 68-të, kur e shfrytëzon mirë një top të arritur nga goditja paraprake e Gjerajt. Kurse, udhëtuesit e shënuan golin e nderit në fund të ndeshjes me anë të veteranit Milaim Humolli, i cili u shërbye mirë nga Marniku.
KEK-u – Besa 0:1
Besa e ka befasuar KEK-un në Kastriot duke e mposhtur me rezultat minimal. Pejanët e kanë shënuar golin e fitores në minutën e 26-të, kur pas një harkimi nga këndi, Gacaferri i udhëtuesve shënoi me kokë, duke e mposhtur portierin Ismajli. Pas këtij rasti, vazhdimisht kanë sulmuar vendësit, që vinin pas dy fitoreve si mysafirë, por nuk ia dolën të shënonin.
Ferizaj – Drenica 2:1
Milaim Hasani është bërë hero i Ferizajt. Sepse, edhe pse hyri nga banka e rezervistëve, ai ka realizuar dy gola, duke e përmbysur avantazhin e drenicasve dhe duke ia sjellë skuadrës së tij Ferizaj, dypikëshin e radhës.
Kuqezinjtë shënuan të parët në minutën e 63-të përmes Besim Bajraktarin. Mirëpo, pasi hyri në lojë, Milaim Hasani nga 16 metra e mposhti portierin Shosholli për herë të parë në minutën e 71-të. I njëjti futbollist, 6 minuta pa përfunduar ndeshja, e shënoi edhe golin e dytë personal, po ashtu të dytin për ekipin e tij, për fitoren 2:1.
Trepça – Gjilani 1:1
Humbja e thellë në Merdarë duket se ka lënë gjurmë tek Trepça. Klubi mitrovicas nuk ia doli të arrinte më shumë se një barazim të mërkurën, në ndeshjen që e zhvilloi në shtëpi ndaj Gjilanit.
Edhe pse kishin kaluar në epërsi shumë herët, në minutën e 10-të me anë të Liridon Ahmetit, i cili e shfrytëzoi mirë harkimin e Enis Fetahut, mitrovicasit nuk ditën ta ruanin këtë avantazh deri në fund.
Ishte pikërisht minuta e fundit e ndeshjes kur Prekazi i vendësve e prek topin me dorë, e gjyqtari akordon penallti për udhëtuesit. I pagabueshëm nga 11 metërshi ishte sulmuesi Liridon Hasani, 1:1. Ky barazim e mban Gjilanin në pozitën e 10-të në tabelë.
Superliga – Xhiro XIV
Tabela ND GD PI
1. Hysi 13 12 27
2. Trepça 14 7 25
3. Besa 14 5 23
4. Flamurtari 14 0 22
5. KEK-u 14 10 21
6. Ferizaj 14 -1 21
7. Prishtina 14 -4 18
8. Liria 13 3 17
9. Drenica 14 -11 17
10. Gjilani 14 -10 14
11. Vëllaznimi 14 -5 13
12. Kosova (V)14 -6 13