27 tetor 2009

S’mendojnë për humbje

Përballja ndërmjet Kosovës së Vushtrrisë dhe Prishtinës, pritet të jetë më interesantja e xhiros së 14-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, e cila do të zhvillohet në mesjavë.

Vushtrriasit i hyjnë kësaj ndeshjeje të etur për trepikësh, pasi që nuk dinë për fitore qe tri ndeshje. Ndërsa, prishtinasit vijnë nga një seri pozitive, të cilën dëshirojnë ta vazhdojnë edhe pas kësaj sfide të vështirë.

Kapiteni i vushtrriasve, Mensur Maxhuni, thotë se në mendjen e lojtarëve të Arbnor Morinës nuk qëndron një rezultat tjetër përpos fitores. “Kjo është një lojë shumë me rëndësi për ne, ndoshta edhe vendimtare. Ne do të tregojmë angazhim maksimal, jemi mobilizuar dhe jemi përgatitur që të shënojmë fitore”, deklaroi Maxhuni.

Ndërsa trajneri i Prishtinës, Skënder Shëngyli kërkon vazhdimin e rezultateve pozitive, edhe pse është i vetëdijshëm se skuadra e tij nuk do ta ketë aspak të lehtë. “Kosova gjendet në pozitë të palakmueshme sepse ka 3-4 ndeshje që nuk ka fituar. Mirëpo, ne nuk kemi alternativë tjetër veçse të vazhdojmë me rezultate pozitive, shpresoj të rikthehemi në shtëpi pa humbur. E dimë se Kosova përpara shikuesve të vet është mjaft e fort dhe e rrezikshme”, theksoi Shëngyli.

Ballafaqim tjetër interesant pritet të zhvillohet në Gjakovë, ku Vëllaznimi, i cili nuk di për fitore qe një kohë, e pret Flamurtarin, e befasuar në shtëpi nga KEK-u, në ndeshjen e së dielës. Trepça, me fitore ndaj Gjilanit, dëshiron ta harrojë humbjen e thellë në Merdarë, kurse kryesuesi Hysi, të enjten do të jetë mysafir i Lirisë.

Raiffeisen Superliga – Xhiro XIV
E mërkurë
Vëllaznimi – Flamurtari
KEK-u – Besa
Ferizaj – Drenica
Kosova (V) – Prishtina
Trepça – Gjilani

E enjte
Liria – Hysi
Të gjitha ndeshjet zhvillohen në ora 13:00