26 tetor 2009

Shtutgart, Babel pranë shkarkimit

Markus Babel, trajneri i Shtutgartit, mund të jetë pranë shkarkimit nga detyra e tij pasi të shtunën u mund 1-0 nga Hanoveri. Megjithatë, atij i kanë dhënë kohë deri nesër që të korrigjojë gabimet në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë kundër skuadrës Greuther Furth. “Ne jemi të durueshëm. Ai nuk është trajneri ynë, sepse punoi mirë vjet, por edhe këtë vit ai po punon mirë”, ka thënë drejtori sportiv Horst Heldt, i cili megjithatë tregoi se durimi mund të mbarojë shpejt. Ai tha: “Ne tani kemi nevojë për fitore. Eshtë shumë e vështirë pas katër humbjesh radhazi që të flasim për përmbysje dhe ecuri pozitive.” Por megjithatë Babel ka thënë se skuadra po luan mirë dhe se lojërat e mira që po bën meritojnë rezultate më të mira. “Ne luajtëm mirë kundër Shalkes dhe Seviljes, ashtu si edhe kundër Hanoverit. Tani duhet të marrim rezultate të mira. Unë jam i fundit që do të humb shpresën”, ka thënë ai. Detyra e Babelit nuk është e thjeshtë, pasi do të përballet së pari me skuadrën e kategorisë së dytë Furth dhe më pas me Bajernin e Mynihut.