28 tetor 2009

Seria A rezervon të tjera emocione në javën e X-të

Kampionati italian zhvillon sot dhe nesër javën e 10-të duke rezervuar mjaft përballje interesante, ku më kryesorja është Juventus-Sampdoria.
“Zonja e Vjetër” do të tentojë t’i rrëmbejë vendin e dytë Sampdorias, e cila po kalon një moment të mrekullueshëm në Serinë A pas rreth dy dekadash.

Xhenoa-Fiorentina është një tjetër super përballje, ku të dyja ekipet kërkojnë vetëm fitoren për të vazhduar drejt objektivave të tyre. Xhenoa vjen pas tre humbjesh radhazi, në kampionat dhe në Ligën e Evropës, ndërkohë që Fiorentina pësoi një “shok” brenda fushës së vet, duke u mposhtur nga Napoli me rezultatin 1-0.

Milani i Leonardos udhëton drejt fushës së vështirë të Napolit për të kërkuar fitoren e tretë radhazi në kampionat. Kuqezinjtë janë duke përjetuar momentin më të mirë që pas ardhjes së teknikut brazilian, dhe një fitore tjetër në këtë përballje do t’u jepte më tepër shtysë për të vazhduar pozitivisht drejt objektivave të sezonit.

Ndërkohë, kampionët e Interit do të ndeshen nesër me Palermon sërish brenda në fushën e tyre. Më poshtë paraqitet kalendari i plotë i javës së 10-të të Serisë A.

Sonte;

20:45 Bologna - Siena
20:45 Catania - Chievo
20:45 Genoa - Fiorentina
20:45 Juventus - Sampdoria
20:45 Lazio - Cagliari
20:45 Livorno - Atalanta
20:45 Napoli - AC Milan
20:45 Parma - Bari
20:45 Udinese - AS Roma

Nesër;

20:45 Inter Milan - Palermo

Juve-Samp, luhet për vendin e dytë


Në “Olimpiko”të Torinos, Juventusi do të presë Sampdorian, e vendit të dytë. Një ndeshje ku gabimet janë të ndaluara dhe ku barazimi nuk vlen.
Të dy ekipet vijnë në këtë përballje pas fitoreve të arritura fundjavën e kaluar, përkatësisht kundër Sienës 1-0 dhe 4-1 përballë Bolonjës në “Marasi”. Aktualisht, bardhezinjtë renditen në vendin e tretë me 18 pikë, dy më pak se Sampdoria që mban vendin e dytë (Interi kryeson i vetëm me 22 pikë dhe nesër do të presë në “San Siro” Palermon).

Përsa i përket formacioneve, trajnerit juventin, Çiro Ferrara, përveç Iakuintës, i duhet të bëjë edhe pa mbrojtësin Kaceres, i cili u dëmtua në stërvitje. Në vendin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes do të luajë Grigera. Ndërkohë, në dyshim mbetet Felipe Melo, ende i dëmtuar në kaviljen e majtë.

Nëse braziliani nuk ia del, atëherë krijohet hapësira për Kristian Poulsen. Gjithashtu, konfirmohet edhe skema me të cilën Ferrara do të përpiqet të thyejë xhenovezët, 4-2-3-1, me Amaurin si sulmues të vetëm të deklaruar dhe Kamoranezi-Diego-Xhovinko pas tij.

Në kampin tjetër, Gastaldelo ka kaluar shqetësimin në kaviljen e djathtë dhe është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të grupit nën urdhrat e trajnerit Delneri. Ai do të luajë si titullar në qendër të mbrojtjes. Pjesa tjetër do të mbetet e pandryshuar nga herët e kaluara.

Juventus-Sampdoria, ja si mund të luajnë skuadrat sot:

Juventus (4-2-3-1): Buffon; Grygera, Cannavaro, Chiellini, Grosso; Sissoko, Poulsen; Camoranesi, Diego, Giovinco; Amauri. Të gatshëm: Manninger, Legrottaglie, Molinaro, Felipe Melo, De Ceglie, Immobile, Trezeguet. Trajner: Ç. Ferrara

Sampdoria (4-4-2): Castellazzi; Stankevicius, Gastaldello, Lucchini, Zauri; Mannini, Palombo, Poli, Ziegler; Pazzini, Cassano. Të gatshëm: Fiorillo, Accardi, M.Rossi, Tissone, Padalino, Bellucci, Pozzi. Trajner: L. Delneri.

Milani-Napoli, dueli për vazhdimësinë


Në “San Paolo” vendasit e Napolit do të presin Milanin, në një përballje ku të dy skuadrat do të kërkojnë rezultatin pozitiv për të ruajtur vazhdimësinë pozitive.
Kuqezinjtë kanë fituar tre takimet e fundit në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve (2-1 me Romën, 2-3 me Realin dhe 1-2 me Kievon). Sot skuadra e Leonardos do kërkojë patjetër tri pikët, për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. 15 pikë kanë milanistët (aq sa ka edhe Palermo e Fiorentina) dhe renditen në vendin e gjashtë.

Ndërkohë, me ndryshimin e trajnerit (Mazari në vend të Donadonit), duket se Napoli ka rigjetur rezultatet pozitive dhe qetësinë e munguar. Edhe të kaltrit vijnë në këtë ndeshje pas dy fitoreve radhazi ndaj Bolonjës 2-1 dhe 0-1 në “Artemio Franki” përballë Fiorentinës në fundjavë.

Leonardo do të hedhë që nga minuta e parë Inzagin në vend të Huntelar, ndërkohë që në mbrojtje do të rikthehet Zambrota. Në mesfushë Ambrozini do të zërë vendin e Flamini në krahun e majtë, kurse Gatuzo nuk është grumbulluar. Abate e gjen përsëri veten në pankinë.

Ja formacionet e mundshme:

Napoli (4-2-3-1): De Sanctis; Grava, Cannavaro, Rinaudo, Aronica; Pazienza, Gargano; Maggio, Lavezzi; Hamsik; Quagliarella. Të gatshëm: Iezzo, Campagnaro, Dàtolo, Cigarini, Bogliacino, Denis, Pià. Trajner: V. Mazzarri

Milan (4-3-3): Dida; Zambrotta, Nesta, T. Silva, Oddo; Seedorf, Pirlo, Ambrosini; Pato, Inzaghi, Ronaldinho. Të gatshëm: Roma, Antonini, Kaladze, Flamini, Abate, Huntelaar, Borriello. Trajner: Leonardo

Xhenova pret Fiorentinën, fitorja detyrim
Skuadra e Gasperinit do të luajë në shtëpi përballë vjollcëve. Tri pikët janë objektivi i vetëm i të dy ekipeve, për t’iu rikthyer rezultateve pozitive.
Si Xhenova, ashtu edhe Fiorentina kanë treguar formë të dobët në ndeshjet fundit në Serinë A, teksa janë mundur përkatësisht nga Kaljari 3-2 dhe Napoli 1-0. Ndërkohë që në kupat e Europës (Fiorentina në Ligën e Kampionëve dhe Xhenova në Ligën e Europës), skuadra e Prandelit ka fituar përballjen e fundit 4-3 në Hungari përballë Debreçenit, kurse Xhenova u mund 3-0 nga francezët e Lilës.

Kuqeblutë kanë humbur shumë në kampionat, pasi kanë ngelur në kuotën e 13 pikëve, aq sa ka edhe Napoli dhe gjenden në vendin e dhjetë. Ndërsa vjollcët renditen të pestët në kuotën e 15 pikëve, së bashku me Palermon dhe Milanin.

Këto janë skuadra që pak a shumë kanë synime të njëjta, vendi i katërt në kampionat, për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Xhenova vjen në këtë takim me mungesa të rëndësishme, ku përveç Jankoviç, Fatiç, Karzha dhe Krishito, për trajnerin Gasperini nuk do të jenë të gatshëm as Figeroa dhe as Juriç. Ky i fundit ka pasur një problem muskulor.

Si gjithmonë, mbrojtja do të jetë e përbërë nga tre lojtarë, ashtu si sulmi, ku pjesë e “tridhëmbëshit” do të jenë Flokari, Skuli dhe Paladino. Kurse për numrin një të pankinës vjollcë, e vetmja dilemë është ajo e sulmit, ku në balotazh është Mutu-Jovetiç, me rumunin më të favorizuar.

Xhenova-Fiorentina, formacionet e mundshme:

Genoa (3-4-3): Amelia; Papastathopoulos, Biava, Bocchetti; Rossi, Milanetto, Zapater, Mesto; Floccari, Sculli, Palladino. Të gatshëm: Russo, Tomovic, Esposito, Modesto, Raggio Garibaldi, Palacio, Crespo. Trajner: Xh. Gasperini

Fiorentina (4-2-3-1): Frey; Comotto, Gamberini, Dainelli, Pasqual; Montolivo, C.Zanetti; Marchionni, Mutu, Vargas; Gilardino. Të gatshëm: Avramov, De Silvestri, Kroldrup, Gobbi, Donadel, Jovetic, Castillo. Trajner: Ç. Prandelli

Roma, në “Friuli”për t’u rikthyer tek tri pikët


Sot në mbrëmje skuadra verdhekuqe do të udhëtojë drejt Udines, ku do të luajë përballë vendasve të trajnerit Marino.
Në ndeshjet e javës së nëntë, që u luajtën fundjavën që shkoi, Roma u mund në mënyrë të turpshme nga Livorno 1-0 në fushën e vet, ashtu si bardhezinjtë e Udinezes, që u thyen me të njëjtin rezultat në transfertën e Palermos.

Të dy këto skuadra kanë një kuotë të barabartë pikësh, 11 dhe gjenden njëra pas tjetrës në tabelën e klasifikimit (Roma e 12-ta, Udineze e 13-ta). Në takimin e mbrëmjes së sotme, gabimet nuk lejohen për asnjë nga ekipet dhe gjithashtu barazimi është një rezultat që më shumë prish punë, sesa rregullon.

Përsa i përket formacioneve, numri një i stolit të vendasve, Marino, është në dyshim midis Paskuales dhe Lukovice, ndërkohë që Floro Flores do të luajë si sulmues qendre në vend të Pepes, të skualifikuar. Kurse për trajnerin verdhekuq, Klaudio Ranieri, problemet janë më të mëdha, pasi Menez nuk është grumbulluar, për shkak se është i padisponueshëm, ashtu si Rise dhe Burdiso.

Me këto mungesa, formacioni i kryeqytetasve do të jetë 4-2-3-1, me treshen Guberti-Tadei-Perrota pas krahëve të Vuçiniç. Doni është grumbulluar, megjithëse është ende në dyshim. Edhe pse ai ka deklaruar se dëshiron të luajë, gjithçka do të vendoset në momentin e fundit.

Ja si mund të luajnë sot Udineze dhe Roma:

Udinese (4-3-3): Handanovic; Basta, Coda, Zapata, Pasquale; D'Agostino, Inler, Asamoah; Sanchez, Floro Flores, Di Natale. Të gatshëm: Belardi, Felipe, Lukovic, Isla, Pepe, Lodi, Corradi. Trajner: Marino

Roma (4-2-3-1): Doni; Motta, Juan, Méxes, Cassetti; De Rossi, Brighi; Taddei, Perrotta, Guberti; Vucinic. Të gatshëm: Lobont, Cicinho, Andreolli, Faty, Antunes, Baptista, Okaka. Trajner: K. Ranieri