Braziliani ka qenë përcaktues për Juventusin nëpërmjet goditjeve të dënimitE kanë marrë për të bërë diferencën, për të fituar ato ndeshje që përndryshe nuk do të fitoheshin kurrë. E kanë blerë për të zëvendësuar Nedvedin dhe për të marrë trashëgiminë e lënë nga ish-numrat e mëdhenj 10, si Platini, Baxhio, Zidan. E kanë marrë për të ndezur fantazinë e tifozëve, për të rikthyer Juventusin në skuadrën më të fortë të Italisë. Dhe ai, Diego Rias da Kunja, ka qenë gati për detyrën e re.
Pavarësisht se një sërë dëmtimesh kanë kushtëzuar fazën parapërgatitore, ish-fantazisti i Santosit, Portos dhe Verder Bremes është paraqitur në mënyrën e duhur në ndeshjen e parë të rëndësishme të kampionatit, atë, që është zhvilluar javën e dytë të Serisë A midis Romës dhe Juventusit në 30 gushtin e kaluar.
Dy gola kanë konfirmuar talentin e tij dhe janë marrë tre pikë shumë të rëndësishme. Shtatë ditë më vonë, gjithmonë në “Olimpiko”, këtë herë kundër Lacios, një tjetër dëmtim e ka detyruar të rikthehej tek shtrati i fizioterapisë dhe të mungonte në ndeshjen e parë të Champions Ligës kundër Bordosë dhe në sfidat e kampionatit kundër Livornos dhe Bolonjës. Rikthimi, që ka ardhur njëkohësisht me humbjen e pësuar në Palermo (e para qëkur Ferrara drejton Juventusin), ka bërë që të vijnë edhe kritikat e para për të. Eshtë e vërtet se Diego nuk e ka ‘pushtuar’ akoma Juventusin dhe se nuk ka arritur akoma të gjejë vendin e duhur në fushën e lojës.
Por, është edhe e vërtetë se, duke parë të dhënat, Diego, i ka dhuruar shumë pikë bardhezinjve, deri tani. Përveç ndeshjeve me Romën e Spaletit, braziliani ka qenë vendimtar në nëntë pikët e marra kundër Kievos (në takimin e parë në Serinë A), Makabit dhe Sienës. Si? Nëpërmjet goditjeve të dënimit, duke i dhuruar pasime perfekte Iakuintës, Kielinit dhe Amaurit. Në pritje për të vënë në lëvizje muskulaturën delikate, për momentin, braziliani arrin të jetë vendimtar edhe pa lëvizur nga vendi.