JUVELIVE

26 tetor 2009

Real, Pepe nuk justifikohet me dëmtimet

Portugezi: Të gjithë lojtarët në përbërje janë të aftë për fanellën “merenges”
Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, ka preferuar të mos përdorë dëmtimet e skuadrës së tij si justifikim për barazimin zhgënjyes pa gola në fushën e Sporting Gijonit. Madridi luajti të shtunën në mbrëmje pa kuartetin sulmues të përbërë nga Kristiano Ronaldo, Karim Benzema, Gonzalo Higuein dhe Rud van Nistelroi, të cilët janë të dëmtuar dhe pa ta skuadra e Realit nuk qe në gjendje të shënonte për herë të parë këtë sezon. Para kësaj ndeshjeje, Reali kishte shënuar 31 gola në dhjetë ndeshje të ligës spanjolle dhe të Ligës së Kampionëve, ndërkohë që vjet ata e mundën Sportingun 7‑1 dhe 4‑0.
Por megjithëse krijoi raste në përballjen e së shtunës, Reali nuk arriti të gjente rrjetën e të zhbllokonte rezultatin. Çdo skuadër që humb katër sulmues të tillë do të kishte probleme, por Pepe nuk mendon ashtu. “Çdo lojtar në skuadër është i aftë të luajë për Real Madridin.
Nuk ka nevojë të flas për mungesat, ne duhet të flasim për ata që luajtën. Punuam shumë në fushë, luftuam për fitoren, por nuk ishim të saktë para portës. Objektivi ynë ishte fitorja dhe pikët, por në fund të fundit nuk ishte një fushë e lehtë dhe morëm një pikë.
Sportingu është një skuadër e organizuar shumë mirë.” Problemet e Realit me dëmtimet nuk kufizohen vetëm te sulmi, pasi Pepe, Ezekiel Garai dhe Ksabi Alonso e mbyllën ndeshjen kundër Gijonit me probleme. “Ne kemi luajtur tetë ndeshje brenda një muaji, pa futur këtu ndeshjet e kombëtareve. Ksabi Alonso ka luajtur shumë ndeshje, ndërsa Garai u ndje i lodhur pasi është një fushë e vështirë”, tha Pepe. “Kampionati është shumë i gjatë dhe në fund mund të jemi kampionë”, ka përfunduar Pepe.