28 tetor 2009

Leonardo: Nga Ronaldinjo pres më shumë

Trajneri kuqezi ka dashur të karikojë fantazistin brazilian në prag të ndeshjes me Napolin
Si një brazilian ndaj një braziliani tjetër, tekniku i Milanit i ka kërkuar fantazistit të tij diçka më shumë: “Ronaldinjo është në formë të mirë, interpreton shumë mirë pozicionin e tij, por mua më mungon kombativiteti i tij, duhet të japë diçka më shumë”.
Kështu tekniku i Milanit ka provuar të karikojë Dinjon, i bindur se mund të nxjerrë maksimumin nga ai: “Në disa situata të caktuara mund të bëjë më shumë, dhe kjo duhet për të kaluar nga shumë i mirë në i shkëlqyer”. Argëtim, jo eufori. Leonardo e ka përshkruar në këtë mënyrë atmosferën, që është krijuar në “Milanelo” pas tre fitoreve të njëpasnjëshme të marra nga skuadra e tij, por edhe ka kujtuar: “Kur nuk ndihesh mirë, mund të gabosh në çdo moment”. Milani është rikthyer në rrugën e duhur.
“Skuadra është në duart e lojtarëve, janë shumë të vetdijshëm për forcën e tyre dhe të gjithë entuziazmin që kam unë më vjen nga ata. Titulli kampion? ADN-në tonë e njohim shumë mirë, mendojmë gjithmonë për të fituar. Por duhet t’i hedhim hapat një nga një, për të kuptuar ku mund të arrijmë”. Leonardo ka vazhduar të flasë për dy brazilianët e sulmit: “Sot Pato dhe Ronaldinjo i interpretojnë shumë mirë skemat e skuadrës.
Por unë pres më shumë nga Ronaldinjo, është në formë më të mirë se në fillim të sezonit, por jo akoma aty ku e duam ne, mund të jetë më shumë vendimtar”. Ndërkohë, sot kuqezinjtë luajnë në Napoli, që, ashtu si Milani, po kalon një moment shumë të mirë forme. “Napoli po luan shumë mirë, ka rigjetur entuziazmin.
Do të gjejmë një “San Paolo” të mbushur plot dhe një skuadër që ka rigjetur ritmin. Do të jetë një ndeshje shahu midis dy ekipeve që kanë gjetur ekuilibrin”. Berluskoni ka kërkuar që Milani të vuajë më pak, por Leonardo i shtrëngon fort tre fitoret e fundit: “E kuptoj Berluskonin, por nuk do të ndryshoja asnjë sekondë nga këto tre ndeshje dhe nga emocionet, që më kanë dhuruar”.
Leonardo, më pas, ka folur për situatën individuale të disa lojtarëve, duke shpjeguar se i rikthyeri Borrielo duhet “ruajtur” dhe se përsa i përket Gatuzos momenti i rikthimit është afër. “Mund ta kishim përshpejtuar rikthiin e tij, sepse ndihet mirë, por kemi preferuar ta lejojmë të stërvitet edhe për dy ditë dhe nesër do të bashkohet me ekipin”, ka thënë braziliani në lidhje me mesfushorin.
Ndërkohë, asnjë problem për Nestën që do të jetë rregullisht në fushë kundër Napolit. “Në fund të ndeshjes së Veronës, - ka treguar Leo -, kishte filluar të mendonte për Napolin, këto janë gjëra që flasin vetë”. Në fund, një koment për merkaton e dimrit: “Janari është akoma shumë larg dhe ka akoma shumë gjëra për të bërë, nuk është momenti për të menduar për merkaton. Bekham? Ai është si të ishte këtu, nuk e konsideroj një blerje të re, por një rikthim të një lojtari që bënte pjesë edhe më parë tek Milani. Aktualisht nuk mendoj aspak për merkaton”, ka thënë Leonardo.