JUVELIVE

27 tetor 2009

Galiani: Në janar vjen një sulmues

Drejtuesi kuqezi ka premtuar përforcime në merkaton e ardhshme të dimrit
“Në janar do të marrim një sulmues krahu”. Një deklaratë e tillë, jo e zakonshme, ka ardhur pikërisht nga Adriano Galiani. Nga dhomat e zhveshjes të “Bentegodit”, administratori i deleguar i Milanit ka paralajmëruar përforcime për skuadrën e tij përveç rikthimit tashmë të sigurt të Devid Bekhamit.
Të ndryshëm emrat që bëjnë pjesë në listën e kuqezinjve: por për shumë kandidatë që mund të kalojnë tek Milani, një largim duket i sigurt, është Klas Jan Huntelar. Edhe në ndeshjen kundër Kievos, sulmuesi hollandez ka qenë nota e vetme negative e një skuadre që po ringrihet. I shkëputur nga loja dhe, mesa duket, nga i gjithë ambienti kuqezi.
Nëse Galiani do t’i qëndrojë besnik fjalëve të tij, hollandezi (i marrë për 15 milionë euro nga Reali në verë), do të jepet borxh në një klub të Premier Ligës, një kampionat që, për klimën dhe llojin e lojës, mund të jetë ambienti i duhur për karakteristikat e lojtarit. Ndërkohë, ka filluar gjuetia për emrin e lojtarit të ardhshëm të Milanit. Eshtë e qartë se rruga kryesore të çon në Brazil, tek udhëtimi i gjatë i bërë kohët e fundit nga Ariedo Braida. Midis shumë kandidatësh, vëmendja bie tek njëri në veçanti: Paulo Henrike Çagas de Lima, i njohur me pseudonimin “Ganso”.
Bashkmoshatar me Paton, gjysmësulmues i talentuar i Santosit që mund të luajë si sulmues i dytë ashtu edhe si mesfushor i avancuar. Pjesëtar i kombëtares braziliane Under 20, ai ka filluar shumë mirë sezonin në kampionatin brazilian duke realizuar 7 gola dhe ka cilësitë, që pëlqehen shumë nga Milani: i ri, brazilian dhe jo shumë i shtrenjtë, nëse është e vërtetë se me 7-8 milionë euro operacioni mund të mbyllet me sukses.