26 tetor 2009

Espanjoli zgjidh kontratën me Raul Tamudon

Raul Tamudo pritet të zgjidhë këtë javë kontratën e tij me klubin e Espanjolit pas disa javë bisedimesh, që me sa duket i kanë dhënë fund përvojës së tij te ky klub. Sulmuesi ka kërkuar që klauzola e tij për shitje të ulej dhe kjo ka qenë arsyeja që klubi katalanas të deklaronte se lojtari donte të largohej. Por ai e mohon këtë gjë. Injorimi publik që i bënë atij tregoi se ai nuk ishte më ajo figurë e respektuar si dikur te ‘Blanc i Blau’ dhe largimi i tij do të ndodhë të enjten. Ky është lajmi i konfirmuar edhe nga gazeta spanjolle “El Mundo Deportivo”. Trajneri Mauricio Poketino, ish-shok skuadre me Tamudon, ka thënë se ai do të donte ta kishte sulmuesin sërish në skuadër, por se vendimi ishte marrë në nivelet sipër tij.
Bisedimet mes menaxherit të Tamudos, Tomas Duran, dhe bordit drejtues të Espanjolit nuk kanë shkuar në rrugën e duhur dhe palët kanë vendosur që është më mirë të anulohet kontrata e tij sa më shpejt. Tamudo ka kërkuar që klauzola e shitjes së tij të ulet nga 30 milionë euro në 3 milionë dhe se ka dashur të largohet në janar dhe në verë të këtij viti. Kur asnjë klub nuk e kërkoi, ai u detyrua të fillonte sezonin me Espanjolin, por duke qenë se kontrata e tij skadonte në fund të vitit, u hodhën dyshime për angazhimin dhe përkushtimin e tij. Këto dyshime u kthyen në akuza publike mes Tamudos dhe drejtorëve të klubit dhe tashmë kapiteni dhe golashënuesi më i mirë në historinë e këtij klubi është duke u larguar në mënyrën më të keqe.