Një tjetër konfirmim për momentin e mirë që po kalon Sampdoria e Del Nerit vjen nga nëntë ndeshjet e para të kampionatit. Nuk befason fakti se Antonio Kasano është lojtari, që ka dhuruar më shumë pasime të sakta, para lojtarëve të nivelit të Pirlos dhe Shnejderit. Statistikat tregojnë, ndër të tjera, një cinizëm të pabesueshëm të skuadrës gjenoveze: ndodhet në vendin e 17-të përsa i përket zotërimit të topit, në të 19-in për topat e luajtur, në të 18-in për pasimet e sakta dhe në të 16-in për dominim në fushën e lojës, megjithatë kur është momenti për t’u hedhur në sulm gjithçka ndryshon.Pacini me shokë, janë në vendin e katërt mbas Interit, Juventusit dhe Romës si skuadra më e rrezikshme e kampionatit dhe të gjashtët në renditjen e skuadrave që kanë goditur më shumë portën. Por moduli i Del Nerit nuk lë mbrapa as fazën mbrojtëse dhe nuk është një rastësi që Sampi ka mbrojtjen e dytë më të mirë të Serisë A me vetëm 6 gola të pësuar njësoj si Fiorentina (më mirë ka bërë vetëm Bari i Venturës me 5). Mbrojtja me katër lojtarë në vijë të drejtë ofron shumë garanci dhe mesfusha bën një punë të mirë në mbulimin e hapësirave në fushë. Në këtë repart, përveç konfirmimit të kapitenit Palombo, zbulimi i vërtetë në këtë fillim të sezonit ka qenë i riu Poli, i cili tashmë ka siguruar një vend midis lojtarëve titullarë.