JUVELIVE

29 tetor 2009

Blanku i premton Juventusit “Yllin e tretë”

Presidenti i ri i bardhezinjve zbulon: Në dokumenta janë 29 tituj, por të fitojmë një herë kampionatin

Falënderoj Koboli Xhiljin për pasionin e tij, inteligjencën, klasin dhe elegancën”. Kështu presidenti i ri i Juventusit, Zhan Klod Blank, ka përshëndetur paraardhësin e tij, që i lë vendin pas tre vjetësh. Pastaj lëshon një frazë domethënëse: “Ylli i tretë mbi fanellë? Të fitojmë një tjetër titull pastaj të shohim, - thotë ish-administratori i deleguar bardhezi. - Në të gjitha dokumentat tona janë shkruar 29 tituj, me dy “asterikë” për ato që na kanë hequr, por për ne ylli i tretë do të vijë me titullin e ardhshëm”.

Më pas Blank flet për detyrën e tij të re: “Nuk dua të punoj si një njeri i vetëm, sepse nuk jam një njeri i vetëm. Jam një njeri i sportit, një menaxher dhe për mua është sikur këto tre vite të kaluar në botën e futbollit, të ishin më shumë. E kuptoj që vlerësimi nuk mund të vijë nga të gjithë dhe i respektoj këto mendime. Por nuk jam një njeri i vetëm, sepse kam një strukturë që punon me mua e ndërtuar në tri aspekte: sporti, marrëveshjet komerciale dhe pjesa financiare dhe jam i bindur që një klub modern futbolli nuk mund të drejtohet i vetëm”.

Duke qëndruar sërish te tre aspektet, Blanku kujtoi tre menaxherët përgjegjës në strukturat e ndryshme: Alesio Seko për atë sportiv, Marko Fasone për pjesën komerciale dhe Mikele Bergero për atë financiare. “Do të gjykoj unë në tre vitet e ardhshme nëse kjo skuadër do të ketë nevojë të jetë më e plotë dhe e fortë, - shpjegon presidenti juventin. - Ndërkohë theksoj besimin tim drejt Sekos dhe të gjithë stafit tonë teknik.

Prioritet mbetet gjithnjë klubi dhe do të përpiqemi të kemi gjithnjë një skuadër më të mirë, sepse objektivi është të fitojmë. Në fund fiton një i vetëm dhe shpresojmë të jemi ne. Kemi ndërtuar një skuadër të mirë për të qenë në gjendje të sjellim në shtëpi yllin e tretë. Kemi skuadrën e duhur për të marrë rezultate të mëdha”. Në asamblenë e ortakëve të Juventusit, hyn për herë të parë përfaqësuesi i “Latifico”-s, libiani Kahleb Zentuti. Ndërkohë Zhan Klod Blank është presidenti i 24-t i historisë së “Zonjës së vjetër”.