JUVELIVE

29 gusht 2009

Spanjë, “galaktikët” ngrenë siparin…

Reali i Madridit e nis sot sezonin e ri në Primera Divizion kundër Deportivo Korunjas me synimin për të treguar se, çerek miliard euro nuk janë shpenzuar kot dhe do të eklipsojnë rivalët e Barcelonës. Florentino Perez është kthyer si president i Realit duke premtuar një projekt spektakolar sportiv dhe ka blerë Kristiano Ronaldon, Kakanë, Karim Benzemanë, Ksabi Alonson dhe të tjerë, duke rritur shpresat e tifozëve. Madridi ka rastin ta nisë mirë sezonin kundër Deportivos, ndërkohë që ndeshja e Barcelonës kundër Sportngut të Gijonit është shtyrë për të hënën, për shkak të Superkupës së Evropës mes Barçës dhe Shaktjorit. “Nuk është fjala për ndonjë lojtar individual, por për gjithë skuadrën, e cila duhet të organizohet dhe të ketë një strategji kolektive”, - ka thënë mesfushori i Spanjës, Alonso. Nën drejtimin e trajnerit të ri, Manuel Pelegrini, të marrë nga Vilareali, Reali shpreson që Alonso mund të jetë ajo shkëndija kreative në mesfushë, që mungonte sezonin që shkoi dhe që do t’i ndihmojë ata të përballojnë lojën e bukur me pasime të lirshme dhe sulm shkatërrues të Barcelonës. Strategjia e Realit do të jetë qarkullim i topit, kontroll i ritmit të ndeshjes, dinamizmi dhe lëvizshmëria në sulm. Barcelona e ka fituar një trofe këtë sezon, pasi mundi 5-1, me rezultat të përgjithshëm, Atletikon e Bilbaos në Superkupën e Spanjës. Trajneri Pep Guardiola ka përfshirë tashmë në formacion edhe Zllatan Ibrahimoviçin dhe mbrojtësin e majtë Maksuell. Përveç kampionatit, katalanasit do të mbrojnë edhe titullin në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Mbretit si dhe do të luajnë edhe në Botërorin e Klubeve. “Të përsërisësh tre trofetë do të jetë shumë e vështirë”, - ka thënë mesfushori Serxhio Buskets në faqen zyrtare të klubit. - Ne jemi i vetmi klub që e kemi bërë këtë në Spanjë dhe vetëm pak skuadra e kanë arritur këtë gjë në Evropë. Por titujt fitohen njëri pas tjetrit, ndeshje pas ndeshjeje, si në sezonin e shkuar.” Busket është një ndër lojtarët kyç të Barçës, ku hyjnë edhe sulmuesi argjentinas Lionel Mesi dhe mesfushori spanjoll Ksavi dhe Andres Injesta, të cilët janë rritur si futbollistë te Barça. Ibrahimoviç iu bashkua skuadrës katalanase nga kampionët e Italisë, Interi, me një shkëmbim mes tij dhe Etosë plus 46 milionë euro. Ai mendon se Reali do të jetë në një presion të madh këtë sezon për të fituar, madje më shumë se Barça. “Ata kanë blerë lojtarë me qëllimin për të fituar, për të krijuar një skuadër fituese, ndërsa unë kam ardhur te një klub që është fitues”, - ka thënë suedezi. “Sigurisht që kjo nuk mund të arrihet në 24 orë, as në një javë apo muaj. Duhet kohë.” Sevilja, që u rendit e treta vitin e kaluar, e ka përforcuar skuadrën me blerjen e Alvaro Negredos dhe disa të tjerëve edhe pse nuk ka fuqinë shpenzuese të Realit apo Barçës. “Fitimi i ligës është tepër i vështirë dhe ato që janë të detyruar të fitojnë janë klubet me buxhetin më të madh”, - ka thënë presidenti Hoze Maria del Nido i Seviljes. - Ne kemi ndërtuar një skuadër mjaft kompetitive për të qenë në krye bashkë me të mëdhenjtë.” Atletiko e Madridit do të jetë në transfertë në Malaga nesër dhe trajneri Abel Resino ia ka dalë mbanë të ruajë asetet më të forta të skuadrës, Serxhio Aguero dhe Diego Forlan, golashënuesi më i mirë i sezonit të shkuar, pasi kjo skuadër kërkon diçka më shumë se vendi i katërt i sezonit që shkoi.