Portieri i Juventusit rrëfen: Kam qenë shumë pranë largimit, por qëndrova vetëm për të fituarXhixhi Bufon ka qenë vërtet shumë pranë largimit nga Juventusi, por jo sepse ka qenë i tërhequr nga paratë, as sepse mendonte që klubi nuk do të ishte në gjendje të rikthehej i fortë. Por për shkak të keqkuptimeve, për zërat e merkatos ndaj tij, që klubi nuk i përgënjeshtronte, për përshtypjen që ndoshta dikush ishte dakord që ai të largohej. “Kam rrezikuar të iki nga Juvja, ‑ pranon portieri bardhezi dhe i kombëtares. - Kishte që nga tetori që vazhdonte të thuhej gjithçka për mua, jo vetëm oferta nga jashtë, por edhe zëra të çuditshëm.
Asnjë nuk i përgënjeshtronte, ndaj ndalova dhe nisa të mendoj: mos është se ka ndonjë gjë të vërtetë këtu? Në një moment qarkulluan edhe zëra se po ndahesha edhe nga Alena (Seredova, gruaja e tij). Kur nisën të qarkullojnë këto zëra, do të thotë se po krijojnë kushtet për të më larguar. Dhe meqë si futbollist dh bashkëshort po i merrja vesh gjërat i fundit, thashë me vete: nëse është e vërtetë, po e largoj këtë shqetësim”.
Në këtë mënyrë, Bufoni kërkoi me ngulm një takim me drejtorin sportiv Seko dhe administratorin e deleguar Blank: “Dhe pashë bindjen e tyre, por edhe habinë për dyshimet e mia, ‑ shpjegon Xhixhi. - Pastaj doja të mësoja mbi projektin edhe për të parë të ardhmen: kur je mësuar të luash për të fituar, nëse nuk përpiqesh, rendimenti të bie. Është e vërtetë që ka pasur një interesim nga Mançester Siti. Por me gjithë respektin, nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Pastaj tashmë kam grua, familje, origjinë: arsyetova për tre dhe shpejt duhet të arsyetoj për katër.
Nuk do të më kishte bindur as dyfishimi i rrogës: me gjithë respektin për paranë, në jetë ka gjëra që s’mund të blihen. Prandaj qëndrova këtu dhe për të fituar?. Në analizën e Bufonit ka hapësirë edhe për Ranierin, por jo për parashikimet, ndoshta sepse këtë herë ka përshtypjen se mund të fitojë vërtet: “Ishte një ide e mirë për të kursyer disa parà për të blerë lojtarë, sepse ne kishim nevojë para së gjithash për kampionë, ‑ vijon numri një juventin.
- Me Ranierin u krijuan situata delikate, sepse mund të vazhdonim. Por puna e tij nuk dha atë që pritej: duhej të fitonim, ndoshta harrojmë ta falënderojmë, por një farë merite ka edhe ai. Por tani mendojmë për këtë sezon që sapo nisi. Skuadra si Katania, Bari apo Livorno nuk kanë asgjë për të humbur. Në javën e katërt nuk mendon shumë për to, por në të 30‑ën, nis të pendohesh për ndonjë rezultat”.
Ndërkohë asnjë polemikë me Mourinjon: “Nuk kam dëshirë të hyj në botën e tij. Ndihem mirë në botën time, që është bardh e zi”. Bota e tij është para së gjithash edhe familja, e cila shpejt do të zgjerohet: “Kur flisni me mua për familjen, duhet të jeni seriozë, ‑ përfundon Bufon. ‑ Eshtë e vetmja gjë me të cilën nuk mund të bëhet shaka. Unë dhe Alena synojmë të kemi një familje të madhe”.