22 korrik 2009
Superliga edhe një vit Raiffeisen
Raiffeisen Bank do të jetë sponsor gjeneral i Superligës së Kosovës në futboll edhe për sezonin 2009-10. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe banka austriake të mërkurën e kanë nënshkruar marrëveshjen e re, e cila do t’i lidhë ato në mes vete edhe për një vit. Kryetari i FFK, Fadil Vokrri, ndihej i lumtur me kontratën e re, pas bashkëpunimit të suksesshëm të vitit të kaluar. “Pas bashkëpunimit që patëm vjet me Raiffeisen, u ulëm dhe biseduam me udhëheqësit e kësaj banke në Kosovë dhe arritëm marrëveshje që ta vazhdojmë bashkëpunimin. Edhe këtë vit nga kjo marrëveshje do të përfitojnë klubet, të cilat do të lirohen dhe as këtë vit nuk do të jenë të obliguara t’i paguajnë kuotizimet”, u shpreh Vokrri.I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bank për Kosovë, Robert Wright.“Na vjen mirë që bashkëpunojmë me FFK-në për dy vjet radhazi. Futbolli quhet lojë e njerëzve, andaj kjo thënie i bashkohet filozofisë së bankës sonë, e cila është bankë e popullit. Futbolli luhet për të gjitha gjeneratat, ndërsa edhe banka e jonë është e të gjitha gjeneratave. Kam dëgjuar se këtu do të formohet edhe liga e femrave, shpresoj të ketë një kooperim të suksesshëm. Do të dëshiroja që ky sezon të jetë shumë i suksesshëm për futbollin kosovar”, deklaroi Wright.Marrëveshja në mes të FFK-së dhe Raiffeisen Bank vlen për një vit, ndërsa nga kjo marrëveshje arka e FFK-së do të pasurohet me 80 mijë euro, njëjtë si vitin e kaluar. Palët nuk e kanë përjashtuar mundësinë që bashkëpunimin ta vazhdojnë edhe në sezonet e ardhshme.