Fantazisti brazilian i Milanit ndihet gati për të qenë vendimtar në sezonin e ardhshëm me kuqezinjtë
Gjysmë ore pasi Ronaldinjo kishte filluar të jepte një intervistë në një të përditshme italiane, në një nga sallat e Milanelos është futur Pipo Inzagi. Marrëdhënia e mirë midis të dyve është e dukshme dhe Pipo, pas një kërkese që i ka bërë shokut të tij të skuadrës (”Këtë vit dua njëzet pasime të sakta nga ti siç ke bërë kundër Varezes, t’i driblon katër kundërshtarë dhe pastaj ma pason topin mua një metër larg portës”), jep edhe një rekomandim: “Duhet të shkruani, Dinjo është numri një”. Shtrëmbërimi i fytyrës nga ana e brazilianit është një përgjigje, sepse më parë këtë duhet ta tregojë në fushë.
- Ronaldinjo, Milani ka shitur Kakanë dhe nuk ka marrë asnjë lojtar tjetër në atë pozicion, sepse jeni ju. E ndieni përgjegjësinë?
- Ndiej një gjë akoma më të rëndësishme: besimin e shokëve të skuadrës, të klubit, të ambientit. Përgjegjësia është vetëm një pasojë, është një kënaqësi e vërtetë dhe jo një shqetësim.
- E dini se ajo që keni treguar vitin e kaluar nuk mjafton?
- Vitin e kaluar e kam filluar mirë, më pas jam ndalur për shkak të një dëmtimi dhe sepse Ançeloti nuk më aktivizonte më. Këtë herë dua të bëjë një sezon të madh nga ndeshja e parë deri tek ajo e fundit. Objektivi rritet, ashtu si për Milanin: vitin e kaluar kërkonim kualifikimin në Champions, tani duam ta fitojmë.
- E vlerësoni një objektiv të realizueshëm pas një merkatoje ku të gjithë rivalët tuaj, italianë dhe europianë, janë përforcuar ndjeshëm?
- Futbolli luhet në fushë, jo në tavolinë. Dhe mund të fitosh edhe duke shpenzuar pak në merkato.
- Pse tifozi i Milanit duhet të ketë besim tek Ronaldinjo?
- Sepse ndihem mirë, po impenjohem shumë, jam i motivuar. Kam humbur disa kile, jam shumë afër peshës ideale që kam patur tek Barcelona. Dhe më pas në krahasim me vitin e kaluar ndihem më i integruar me realitetin italian.
- Pse nga janari i kaluar dhe në vazhdim Ançeloti ju ka lënë gjithmonë në stol?
- Nuk e di, ka qenë një vendim i tij. Nuk e kam pyetur asnjëherë për këtë, duke kërkuar t’i tregoja në stërvitje se po gabonte.
- Me Leonardon besoni se do të ndiheni më mirë?
- Nuk varet nga ai, por nga unë. Besoj se ky Ronaldinjo është më i mirë se Ronaldinjo i një viti më parë.
- Zambrota thotë se ju do të jeni lideri i Milanit. E konfirmoni?
- Po bëhem lider në mënyrë natyrale, ditë pas dite.
- Skema 4-3-3 do t’iu ndihmojë?
- Eshtë një modul që e njoh shumë mirë, tek Barcelona e përdornim gjithmonë. Por për mua të gjitha skemat janë të mira.
- Ju pëlqen Luiz Fabiano?
- Eshtë i aftë, mund të na ndihmojë. Do t’i shtohej një grupi me sulmues të mëdhenj. Pato vazhdon të rritet, ky mund të jetë viti i tij. Borrielo është shumë i fortë dhe më pas është Pipo. Ti i pason topin, ai shënon. Gjithmonë.
- Si iu është dukur “betimi në tavolinë”, i kërkuar nga presidenti Berluskoni?
- Janë gjëra normale, ndodhin në çdo grup.
- Si Berluskoni dhe Leonardo i kanë bërë thirrje profesionalitetit tuaj. E keni pyetur veten nëse nuk është pëlqyer diçka nga sjellja juaj në të kaluarën?
- Nuk besoj se dikush më kritikon për sjelljen time. Qëkur kam ardhur tek Milani problemi i vetëm i vërtetë ka qenë dëmtimi.
- Futbolli është akoma përparësia juaj?
- Futbolli, absolutisht është gjëja e parë e jetës time. Ju shpjegoj se si funksionojnë gjërat: nëse jam i lumtur në fushë, jam edhe jashtë saj. Nga lumturia e futbollistit varet ajo e njeriut: si mund të mos jetë futbolli përparësia ime.
- Dunga nuk ju ka thirrur në kombëtare për Kupën e Konfederatave. Keni frikë që kjo të ndodhë edhe për Botërorin?
- Jo, mendimet e mia janë gjithmonë pozitive. Tani dua të bëj një sezon të madh me Milanin. Nëse kjo do të ndodhë do të shkoj në botëror.
- Pele ka thënë se Botërori do të tregojë edhe se kush është numri një në botë. Jeni dakord?
- Po, tani Mesi duket më i miri nga të gjithë dhe në fakt është një lojtar fantastik. Por vetëm Botërori mund kurorëzojë numrin një të botës dhe unë dua të marr pjesë në këtë garë. Por, për t’ia dalë mbanë duhet të luaj mirë edhe në nëntë muajt që paraprijnë Kupën e Botës.
- Ronaldinjo, ndiheni plotësisht i realizuar?
- Jo pëlotësisht. Kur të kem fituar një trofe me Milanin do të ndihem i realizuar plotësisht. Madje dy, kampionatin dhe Champions Ligën, dyshja mund të arrihet.
- Barcelona midis Ronaldinjos dhe Mesit ka zgjedhur Mesin. Milani, edhe pse në një situatë të vështirë, midis Ronaldinjos dhe Kakasë ju ka zgjedhur ju.
- Janë strategjitë e klubeve, por unë jam i lumtur që jam tek Milani dhe do të më pëlqente të bëja një sfidë të madhe kundër Barcelonës. Ndoshta në “Bernabeu”, në finalen e Championsit.