04 korrik 2009

Mourinjo sulmon Milanin: Ndihmohet nga mediet

Bilanci i një viti. Pasi është mbyllur kampionati i tij i parë italian, Mourinjo ka komentuar faktet, anekdodat dhe është rrëfyer: “Nuk jam një njeri nostalgjik, Portugalia nuk më mungon. Në të vërtetë, nuk kam patur asnjëherë nostalgji për asgjë”. Shpjegon pse ka zgjedhur Amerikën për fazën përgatitore të verës, i përkufizon futbollistët si njerëz që lëndohen shumë shpejt dhe i “katalogon” në bazë të kombësisë. Në kyçin e dorës mban një orë Frank Muller që ka një vlerë prej 34.950 euro, por pohon: “Jam një i apasionuar, por dorështrënguar. Jo një koleksionist. Shikoj çmimin”.

MEDIAT ITALIANE - “Shtypi italian e ndjek shumë futbollin. Ndoshta kam qenë shumë i rëndë kur e kam përkufizuar si “prostitucion intelektual”. Por në atë moment të kampionatit ndieja nevojën t’i fryja zjarrit”. Më pas sulmon kushërinjtë kuqezinj: “Pronari i Milanit është njëkohësisht edhe zotëruesi i një prej dy rrjeteve televizive më të rëndësishëm, që është më i forti në nivelin futbollistik dhe ka komentatorët më të rëndësishëm. Milano është një qytet i ndarë midis Interit dhe Milanit, por vetëm Milani ka vëmendje mediatike. Edhe pse shtypi kërkon të jetë i pavarur në fund nuk është i tillë. E gjitha kjo krijon një vështirësi më të madhe për një klub si Interi”.

INTER - Ndërkohë, i ka ardhur radha Interit të tij, duke e krahasuar me skuadrat e tjera, që ka stërvitur: “Eshtë ekipi që më pëlqen më shumë në aspektin njerëzor. Ka personat më të mirë, por nuk kam për të thënë asgjë më shumë nëse nuk rinohet. Më përpara skuadrat e mia ishin gjithmonë në fillimin e një cikli. Eshtë shumë më e vështirë të drejtosh një ekip me moshën mesatare afërsisht 32 vjeç, sepse kemi të bëjmë me limitin e potencialit. Për këtë arsye kërkoj marrjen e lojtarëve të rinj dhe të talentuar”. Mou zbulon një anekdotë në lidhje me Interin e “vjetër” të sezonit të kaluar: “Në nëntor i thashë vetes: ‘Nëse do të vazhdoj të kërkoj përmirësimin e skuadrës nuk do ta fitoj kampionatin’. Më është dashur të heq dorë nga disa gjëra dhe të mbështetem tek tre ose katër principe thelbësore të lojës”.

TE NDJESHEM - Ndërkohë, Hoze nuk ka kursyer as futbollistët: “Futbollistët janë të ndjeshëm, lëndohen shumë shpejt. Nuk pëlqejnë t’i thuash se ‘nuk vlejnë asgjë’, ose je i ‘vjetër’, madje edhe se ‘dje dikush të ka parë në 4 të mëngjesit në rrugë’. E vetmja mënyrë që kam për të luftuar këtë “ndjeshmëri” është të jem gjithmonë i sinqertë.

GRUMBULLIMI NE SHBA - Nga data 12 deri më 16 korrik, Interi do të jetë në Los Anxheles. Pse në SHBA? Mou e shpjegon në këtë mënyrë: “Shërbimet globale janë të jashtëzakonshme. Laboratori, fusha e stërvitjes, kushtet për seancat strëvitore dhe për të bërë testimet e nevojshme”.

KOMBESIA - Në fund katalogimi i futbollistëve në bazë të kombësisë së tyre. “Brazilianët janë më të vështirët dhe më të padisiplinuarit. Nëse cakton një mbledhje në orën 10-të atyre nuk i intereson nëse ti i lë apo jo të futen. Anglezi mbërrin në 9:55, italiani nëse mbërrin në 10:01 e bën këtë me vrap dhe i acaruar, portugezi në 10 ose në 9:59, francezi, që ka gjithmonë të drejtë, në 10, por mendon se nuk ka asnjë arsye për të ardhur në orar. Rusët në 10, asnjë minutë më parë ose më vonë: ata kanë nevojë të udhëhiqen”, ka përfunduar Mourinjo.