03 korrik 2009

Montella pensionohet nga futbolli

Vincenzo Montella, sulmuesi i cili i ndihmoi Romës të fitojë Scudetton më 2001, është pensionuar nga futbolli, kanë njoftuar mediet italiane të enjten. Montella, 35 vjeç, i njohur me nofkën ‘Aeroplanino’ për shkak të mënyrës së festimit të golave, realizoi 94 herë për Romën nga 1999 deri 2006 dhe është golashënuesi i pestë më i mirë në historinë e klubit. Pavarësisht se ishte 172 cm i gjatë, Montella realizoi shpeshherë me kokë, por do të kujtohet më tepër për aftësinë e mirë të lojës me top, shpejtësinë dhe goditjen e fuqishme me këmbën e majtë. Montella iu bashkua Romës nga Sampdoria më 1999, ndërsa paraqitjen e fundit në klub si titullar e bëri në dhjetor 2006, para huazimeve në Fulham dhe Sampdoria më 2007-08. Ai u kthye në Romë sezonin e kaluar, por bëri vetëm disa paraqitje si zëvendësues. Ai pritet të fillojë rolin e trajnerit në ekipin e të rinjve. Montella ishte njëri prej sulmuesve më të mirë në Serie A në vitet e hershme të 2000-ta dhe u paraqit me Italinë në Euro 2000 dhe Kampionatin botëror 2002. Ai zhvilloi 20 ndeshje dhe shënoi tri gola për Azzurrët.