03 korrik 2009

Milani nuk heq dorë nga Dzeko

Dashuritë e mëdha nuk harrohen kurrë. Aq më shumë kur e kaluara është aq e afërt sa të përfaqësojë akoma aktualitetin. Edin Dzeko, sulmuesi boshnjak 22-vjeçar i Volfsburgut, mbetet objektivi i parë i Milanit për sezonin e ardhshëm. Klubi kuqezi, edhe pse e ka pranuar vendimin e klubit gjerman që ka vendosur ta mbajë me çdo kusht lojtarin, në ditët e ardhshme do të tentojë një sulm të fundit. Oferta prej 22 milion eurosh është gati. Në rast se nga skuadra që mbështetet nga grupi Volksvagen do të vinte refuzimi i radhës ndaj ofertës së Adriano Galianit, alternativa (madje, alternativat) janë gati. Gjatë orëve të fundit emri i sulmuesit afrikan Emanuel Adebajor duket gjithnjë dhe më larg, duke parë se Arsenali ka kërkuar 26 milion euro për sulmuesin e tij dhe jo 20 siç ishte menduar në fillim. Leonardo do ta priste me krahët hapur Luiz Fabianon, kryegolashënuesin e Kupës së Konfederatave të fituar nga Brazili, por edhe në këtë rast çmimi i kartonit të lojtarit është një pengesë, sepse Sevilja kërkon 30 milionë euro. Por, midis tre palëve që diskutojnë mund të dalë fitues Klas-Jan Huntelar që Reali i Madridit mund ta japë borxh. Shitja e Kakasë ka bërë që marrëdhëniet midis kuqezinjve dhe madrilenëve të përmirësohen akoma më shumë dhe nëse klubi, që drejtohet nga Florentino Perez, do të pranonte ta fiksonte në 17 ose 18 milion euro shifrën që do t’i duhej t’ia paguante Milanit në rast se do të vendoste ta blinte përfundimisht lojtarin pas periudhës së borxhit, marrëveshja nuk do të kishte asnjë problem për t’u arritur.