Gjithë vëmendja do të jetë e përqendurar më shumë tek trajneri brazilian se tek skuadra
E ka bërë shumë herë më parë, por të hënën e ardhshme për Leonardon mbërritja në Milanelo do të ketë një shije më emocionuese dhe më të bukur, por jo shqetësuese. Braziliani vjen nga një tokë ku futbolli, në të gjithë format e tij, është argëtim, gëzim, jo frikë, jo problem, jo ankth. Por Leonardo nuk mund të injorojë kuriozitetin, që e rrethon. Mënyra sesi do ta drejtojë Milanin dhe zgjedhjet e tij do të analizohen nga të gjithë. Reflektorët do të përqendrohen më shumë tek trajneri se tek skuadra. Pak a shumë siç ka ndodhur vitin e kaluar tek Interi me ardhjen e Mourinjos. Dhe nuk është e thënë që të jetë një problem.
TAKTIKA - Në krahasim me Milanin e Ançelotit diçka do të ndryshojë. Në pritje për të njohur fatin e Pirlos dhe emrin e sulmuesit të ri, ka mundësi që të vijë një ndryshim i modulit që t’i përshtatet më mirë karakteristikave të lojtarëve. Pema e Krishtlindjes (skema 4-3-2-1), aq shumë e dashur për Ançelotin, do të përdoret vetëm në disa raste të caktuara dhe skema kryesore do të jetë ajo 4-3-3. Idealja për të shfrytëzuar urinë e madhe për gola të qendërsulmuesit (nuk duhet harruar i zakonshmi Inzagi, vendimtar në Champions dhe në ndeshjet e rëndësishme), për dinamizmin e Patos dhe për t’i rikthyer Ronaldinjos atë zonë të fushës që preferon më shumë.
Rrezja e aksionit të Dinjos është e limituar, Leonardo do të përpiqet të marrë maksimumin nga ai. Sedorf nuk është një alternativë vetëm për Ronaldinjon, por edhe një mundësi më shumë për mesfushën. Në rastin e shitjes ose të një mungese të Pirlos cilësia e hollandezit do të ishte thelbësore, mbi të gjitha deri kur (në janar) do të kthehet Devid Bekham. Në krahasim me të kaluarën, Leonardo kërkon që loja të jetë më e shpejtë në krahë.
Në këtë mënyrë shpjegohet edhe zgjedhja për Sisokhonë, blerja e të cilit ka dështuar (të paktën për momentin), për shkak të problemeve fizike të mbrojtësit të krahut. Jankulovski nuk bind plotësisht, Odo gjithashtu, ndaj Leo do të provojë edhe Antoninin (që është në pritje të rinovimit të kontratës që i është premtuar nga Galiani një vit më parë), i cili në vjeshtën e kaluar ka luajtur shumë mirë, por më pas është lënë në stol nga Ançeloti. Sigurisht do të shihen më shumë krosime se në të kaluarën e afërt.
Përsa i përket mbrojtjes, idea është se distanca me mesfushën është pakësuar. Për të mos qenë asnjëherë në vështirësi, për të lehtësuar rekuperimin e topit, për të mbuluar me lëvizjet e mesfushorëve hapësirat që do të krijohen nga mbrojtësit e krahut kur të hidhen në sulm. Një Milan ndoshta me një zotërim më të pakët të topit, por me më shumë shpejtësi në krijimin e kundërsulmeve dhe hapësirave për të arritur në më shumë goditje drejt portës. Ky është projekti. Një Milan, që sulmon duke mos u zbuluar shumë. Në mungesë të shpërthimeve të Kakasë do të jetë i nevojshëm bashkëpunimi i të gjithë lojtarëve.
AMBIENTI - Nëse, përsa i përket lojës, duhet të priten përgjigjet nga fusha (pa harruar se të gjithë trajnerëve debutues u duhet pak kohë për t’u përshtatur me realitetin e ri), ka shumë optimizëm në lidhje me aftësitë e Leonardos për të drejtuar skuadrën.
Braziliani që po studionte për t’u bërë drejtues, është i hapur dhe është mësuar gjithmonë të punojë në grup. Nuk do të jetë një protagonist si Mourinjo, por një udhëheqës si Ançeloti, ndaj në këtë aspekt vazhdimësia është e garantuar. Por, Leo, nuk ka borxhe mirënjohjeje kundrejt askujt. Tek Milani ka një mundësi të artë për të treguar vlerat e tij si trajner, por njëkohësisht rrezikon edhe dështimin.
Për këtë arsye do të bëjë edhe zgjedhje të vështira nëse do t’i konsiderojë të nevojshme për Milanin. Fillon një epokë e re, qw nuk duhet krahasuar me atë verdhekuqe të investimeve dhe të blerjeve të mëdha. Duhet gjykuar për atë që do të jetë. Dhe nuk është e thënë se e ardhmja të mos jetë më e sukseshme se e kaluara