Francezi i Juventusit mund të jetë sulmuesi i ri i kuqezinjve: Leonardo: Për të flasin golatMarrëveshja për Luiz Fabianon vazhdon të jetë e bllokuar, me Milanin dhe Seviljen që nuk tërhiqen mbrapa nga qëndrimet e tyre dhe kështu klubi kuqezi është kthyer të mendojë për sulmuesin e Juventusit David Trezege. Kjo hipotezë duket se pëlqehet edhe nga trajneri Leonardo, i cili është shprehur entuziast: “Po flasim për një lojtar, që ka bërë shumë gola. Nuk e di se sa e mundur është arritja e kësaj marrëveshjeje, por padyshim Trezege është një lojtar i jashtëzakonshëm”. Më pas duke u rikthyer te çështja Fabiano, trajneri brazilian ka pranuar se “është një operacion që po shkon drejt një vendimi për po ose jo.
Për momentin gjithçka duket e bllokuar”, ka thënë Leonardo. Menaxheri i sulmuesit brazilian ka bërë të ditur se “tani për tani ka shumë pak mundësi që Luiz Fabiano të kalojë tek Milani”, ka thënë Hoze Fuentes, sipas të cilit oferta prej 14 milionë eurosh e bërë nga Milani është gjykuar shumë e ulët nga Sevilja. “Mendoj se negociatat me Milanin kanë përfunduar, - ka shpjeguar Fuentes.
- Kuqezinjtë kanë bërë një ofertë që është refuzuar”. Kështu, menaxheri i lojtarit është shprehur pesimist në lidhje me transferimin e brazilianit në Milano (”me Berluskonin dhe Galianin nuk ka asnjëherë asgjë të sigurtë, por gjithçka tregon se Milani nuk do të bëjë një ofertë tjetër”) edhe pse një mundësi e vogël ekziston akoma: “Eshtë një situatë që vetëm Milani mund ta zgjidhë, por duhet ta bëjë këtë shumë shpejt”.
Duke folur për kërkesat e Seviljes, Fuentes ka pranuar se “një klauzolë për prishjen e kontratës prej 30 milionë eurosh është shumë e lartë”, duke dhënë kështu mendimin e tij në lidhje me vlerën e lojtarit: “Çmimi në merkato, sipas mendimit tim, është 20 milionë euro”. Atyre që e kanë pyetur nëse Fabiano është i zhgënjyer, Fuentes u është përgjigjur “po, sepse që nga fillimi i kësaj historie ai e ka shprehur qartë dëshirën e tij për të kaluar tek Milani”. Megjithatë, nëse rruga që të çon drejt brazilianit do të braktiset, Milani, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, do të provojë të marrë në Milano, David Trezegenë. Dhe këtë herë mundësitë për një transferim të francezit tek kuqezinjtë janë më të mëdha.
Tani marrëveshja mund të arrihet, sepse diçka ka ndryshuar. Sepse nëse Trezege do të shkojë tek Milani, tek Juventusi do të kalojë Marko Borrielo. Kjo është një kundërofertë teknike e drejtë, të paktën sepse pëlqehet nga drejtuesit bardhezinj. Odo nuk u intereson. Ndryshon historia për një sulmues 27-vjeçar, që dy sezone më parë (para dëmtimit) ka shënuar 19 gola me fanellën e Xhenoas. Duke luftuar deri në ditën e fundit të kampionatit për vendin e parë në renditjen e golashënuesve. Më pas gjithçka ka përfunduar kështu: fitoi Del Piero, me 21 gola. I treti Borrielo, në kuotën e 19 golave. I dyti Trezege me 20 realizime.