JUVELIVE

03 korrik 2009

Maldini refuzon ofertën e Çelsit

Paolo Maldini nuk do të shkojë tek Çelsi. Ka qenë vetë Ançeloti që ka njoftuar klubin e tij të ri se ish-kapiteni i Milanit, pasi është menduar gjatë, ka preferuar të heqë dorë nga oferta për t’u bërë menaxheri i klubit londinez. Idea e Çelsit ka lindur pak ditë pas zyrtarizimit të Ançelotit. Karlos do t’i kishte pëlqyer të punonte me një njeri që flet italisht dhe Maldini dukej zgjedhja më e mirë, si një ish-lojtar që sapo kishte mbyllur karrierën e tij, një kampion i vlerësuar dhe i adhuruar në të gjithë Europën, një person që flet shumë mirë gjuhën angleze. Me pak fjalë, njeriu ideal për pozicionin e menaxherit të skuadrës. Por ashtu siç kishte lajmëruar edhe vetë ai gjatë konferencës së tij të fundit për shtyp, Paolo preferon të marrë pak kohë për të planifikuar të ardhmen e tij. E hedhur gjithmonë poshtë idea për t’u bërë trajner, Maldinit do t’i pëlqente një rol aktiv dhe jo sipërfaqësor. Natyrisht do t’i pëlqente të vazhdonte të punonte tek Milani, por pasi ka refuzuar detyrën e përgjegjësit të sektorit të të rinjve nuk është gjetur akoma një pozicion të kënaqë plotësisht dëshirat e tij. Dhe duket se një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë të realizohet, duke parë se pozicionet kyçe tek Milani janë të pakta dhe të gjitha të zëna. Por, ekziston edhe mundësia e një roli të rëndësishëm në Federatën Italiane të Futbollit, tek UEFA ose tek FIFA, sepse Maldini gëzon respektin e të gjithëve dhe nuk do të kishte probleme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tani Paolo është në Majemi me pushime. Pasi të rikthehet në Itali do të fillojë të mendojë seriozisht për të ardhmen, më saktë për fillimin e jetës së tij të dytë.