JUVELIVE

04 korrik 2009

Leonardo: Puna e trajnerit? E përkohshme

Trajneri i Milanit ka bërë të ditur se është më shumë i tërhequr nga detyra e administratorit

Dhjetë vite më parë, kur ishte akoma një lojtar i Milanit, Leonardo ka rënë në një gjendje depresioni, duke u ndier fajtor për faktin se fitonte shifra shumë të larta nëpërmjet profesionit të tij. Trajneri i ri i Milanit e ka rrëfyer këtë në një intervistë për shtypin brazilian.

PAGJUMESIA - “Kam vuajtur nga pagjumësia kur isha rreth 30 vjeç, gjatë periudhës sime të parë në Itali. Ndihesha në faj, sepse mund të blija veshje të shtrenjta dhe mund të frekuentoja restorante luksi. Në vend që një gjë e tillë të më jepte kënaqësi, më bënte të vuaja. Si pasojë e depresionit ka ardhur pagjumësia dhe takikardia”.

DHURIME - Leonardo shpjegon se ka bërë shumë dhurime për të varfërit: “Shtëpia ime në Milano kishte mbetur pothuajse bosh. Mungonte edhe kompjuteri. Kur kisha nevojë, kërkoja të përdorja atë të të tjerëve. Kam ndjekur një terapi tremujore. Ish-gruaja ime Beatriz dhe prindërit e mi më ndihmuan shumë. Kam filluar të lexoj edhe libra filozofie dhe psikologjikë. Në atë periudhë ka lindur Fondacioni “Gol” (fondacion që ndihmon fëmijët në vështirësi, i krijuar së bashku me ish-futbollistin Rai). Por nuk më pëlqen të flas për këtë argument”, ka thënë trajneri kuqezi.

MILAN - Leonardo nuk është dakord se Berluskoni është një punëdhënës i vështirë. “Eshtë një ëndërrimtar, një president i apasionuar. Por distanca midis klubit dhe politikës është ruajtur gjithmonë. Klubi ka një jetë të tijën, të pavarur. Gjithashtu, ka edhe një menaxher që është Adriano Galiani. Njeriu me të cilin unë do të komunikoj çdo ditë do të jetë pikërisht Galiani, por kur të jetë e nevojshme do të flas edhe me Berluskonin, me të cilin kam një marrëdhënie të shkëlqyer”.

ADMINISTRATOR - “Në Itali stadiumet arkëtojnë një të pestën në krahasim me Anglinë ose Gjermaninë dhe klubet shpenzojnë edhe 70% të bilancit për pagesat e lojtarëve. Nuk është e mundur të ulen pagat, kështu thjeshtojmë përbërjen e skuadrës, duke kërkuar lojtarë të rinj me shumë dëshirë për të fituar. Gjatë gjithë karrierës sime, kam negociuar personalisht për kontratat e mia, kam administruar financat e mia, kam bërë investime pa ndihmën e ndërmjetësve. Mendoja se me këtë do të merresha pasi të largohesha nga futbolli, jo të bëhesha trajner. Mendoj se kjo periudhë si trajner do të jetë vetëm një parantezë në karrierën time si administrator”.

KAKA - “Ai do t’i mungonte çdo ekipi. Të flasim për lojtarin më të mirë në botë. Kakà është befasues dhe luan në nivele të larta, tashmë prej gjashtë vitesh. Eshtë e vështirë që një gjë e tillë të bëhet për dhjetë vite rradhazi, por Kakà do t’ia dalë mbanë”.

BRAZILIANET - “Gjatë dhjetë viteve të fundit, falë Ronaldos, Kakàsë, Ronaldinjos, Adrianos, Robinjos dhe Roberto Karlosit, brazilianët kanë qenë protagonistë në arenën europiane, duke u kthyer në yje pothuasje si Rolling Stones apo Tom Kruiz. Por nëse nuk e ruan nivelin e lartë, humbet gjithçka. Mjafton të shikosh rastin e Adrianos, që është vetëm 27 vjeç dhe është jashtë futbollit të madh”.

TIFOZET - “Ata italianë janë më të informuar se ata brazilianë, njohin formacionet, taktikat dhe karakteristikat e çdo lojtari. Por pasioni i tifozit brazilian nuk ka të krahasuar. Asnjë stadium në botë nuk të dhuron emocionet e “Marakana”-s apo të një “Morumbi” të mbushur plot”, ka përfunduar Leonardo.