JUVELIVE

03 korrik 2009

Juvja rithërret Nedvedin në stafin teknik

Presidenti bardhezi Koboli Xhilji pranon: Nëse vjen, e mirëpresim. Ai na tha që do e linte futbollin
Uroj që Pavel Nedved të hyjë dhe të jetë pjesë e familjes teknike të Juventusit”. Kështu u shpreh dje presidenti i klubit bardhezi Xhiovani Koboli Xhilji në lidhje me zërat mbi të ardhmen, tashmë të dyshimtë të mesfushorit çek pas lamtumirës nga “Zonja” në fund të sezonit që mbaroi. “Kur mbaroi kampionati, - vijon Xhilji, - Paveli na siguroi që do të varte “këpucët në gozhdë”. Këtë e bëri pastaj, menaxheri i tij (Mino Raiola, ai që kujdeset edhe për interesat e Ibrahimoviçit), por nëse do të vinte te Juventusi do të jemi të gjithë të lumtur për ta pasur në stafin tonë teknik. A do të rikthehet të luajë në fushë? Nuk besoj se do të jetë e mundur”. Duke qëndruar te merkato, vazhdon akoma të jetë pezull çështja “D’Agostino”: “Bisedimet me Udinezen janë ftohur disi - pranon presidenti juventin, duke iu referuar mesfushorit friulan. “Udineze është një klub serioz me drejtues të përgatitur që janë negociatorë të shpejtë. Po bisedojmë që të gjejmë një zgjidhje mes asaj që është vlerësimi ynë dhe vlerësimit që klubi friulan jep për lojtarin”.
Koboli Xhilji ka njoftuar edhe për lajme të reja në ditët e ardhshme: “Merkatoja jonë nuk është e bllokuar nga lojtarë që nuk duan të shiten. E sigurt është që Juventusi për të blerë në fillim duhet të shesë. Poulseni është një nga lojtarët që kemi nxjerrë në shitje (lexo Fenerbahçe) dhe në linjë teorike së bashku me Trezegenë, por mundësia për të gjetur për të një “shtëpi” të përshtatshme për të pasur më pas në këmbim vlerat po aq të përshtatshme, janë shumë inferiore. Është e qartë gjithsesi që duhet të nxitojmë: do të ishte shumë pozitive nëse do të mund të komunikojmë shitjet dhe blerjet në vijimësi brenda dhjetë ditësh”.
Objektivi është vetëm një, që Juvja të kthehet të fitojë menjëherë: “Jam i sigurt që Juvja do të jetë më e fortë se sezonin e shkuar, - pranon Koboli Xhilji. - Ne duam të mendojmë vetëm të fitojmë dhe për këtë jemi të përqendruar te riforcimi i skuadrës. Duam që Juvja të rindërtohet sa më shpejt për të qenë e fortë”. Me një Inter pa Ibrahimoviçin, diferenca me zikaltrit edhe mund të reduktohej. “Unë jam mësuar të bëj tifo vetëm për gjërat e mia, - shpjegon numri një bardhezi, - paradoksalisht do të më pëlqente shumë të fitoja kundër një Interi me Ibrën në skuadër, çka do të ishte një kënaqësi e madhe”.
Në fund, nga presidenti Koboli Xhilji vjen edhe një batutë mbi rikthimin e mundshëm në botën e futbollit të Luçiano Moxhit, si këshilltar merkatoje te Bolonja: “Nuk e di pse më pyesni mua për këtë gjë. Megjithatë kam dëgjuar se presidentja Menarini e ka përgënjeshtruar këtë mundësi. Zoti Moxhi është një njeri që ka punuar shumë vjet në botën e futbollit, ka shumë miq dhe shumë adhurues, ndaj s’ka ndonjë gjë të keqe”.