20 korrik 2009

Ibra te Barça, Mourinjo është “shkaktari”

Sulmuesi është shprehur i pakënaqur me punën e portugez dhe kërkoi largimin: Ky, nuk është futbolli im
Hoze Mourinjo duhet të rindërtojë Interin. Çështjen Masimo Morati ia ka lënë në dorë trajnerit të tij, që nuk do të ketë më në dispozicion sulmuesin suedez, i cili ishte në gjendje të fitonte ndeshjet me një lëvizje. Dhe “I Veçanti” është i pari që e di këtë. Ashtu siç e dinë edhe tifozët. Stacioni televiziv i klubit zikaltër është sulmuar nga mesazhet e shumta të tifozëve të tronditur për këtë zhvillim të papritur. E di mirë edhe Roberto Mançini që ka qenë duke ndjekur pa lëvizur përsëritjen e një 5 maji tjetër në ndeshjen e fundit të sezonit 2007/2008 kundër Parmës para se Ibrahimoviç të zgjidhte gjithçka me një dygolësh.
Mbi të gjithë, e di mirë Mourinjo që ia ka dorëzuar çelsat e Interit magjive të Ibrës. Dhe për këtë është shpërblyer, të paktën në kampionat, me interesa: 35 aktivizime dhe 25 gola. Për Mourinjon, ndër të tjera, shitja e Ibrahimoviçit është edhe një humbje në aspektin e imazhit.
Njeriu nga Setubali ishte betuar se Zllatani do të qëndronte tek zikaltrit dhe besonte se fakti që e ka vendosur sulmuesin suedez në qendër të projektit, do të kishte eleminuar pakënaqësitë e famshme të lojtarit dhe dëshirën e tij për të emigruar në Spanjë. Por, ka ndodhur e kundërta, edhe pse i pari që është ankuar për Mourinjon ka qenë pikërisht Ibrahimoviç kur ka dhënë edhe vendimin që ka dënuar teknikun: “Ky nuk është futbolli im”, ka thënë Ibra, duke shprehur pakënaqësinë e tij për faktin se është gjithmonë në ndjekje të topave që, sipas tij, hidhen përpara pa asnjë ide të saktë.
Gjatë këtyre orëve delikate, ka bërë bujë një frazë, që është publikuar në internet, sipas të cilës, sulmuesi suedez ka bërë të qartë se: “në Itali kam fituar gjithçka, ka ardhur koha të ndërroj vend dhe dua të fitoj Champions Ligën”. Por, Ibrahimoviç e ka përgënjeshtruar dhe është informuar edhe mbi rrugën që duhet të ndjekë për të denoncuar ata që kanë folur në emrin e tij. “Si ndihem? Jam shumë i stresuar për këtë çështjen e Barcelonës…”, ka thënë Ibra. Largimi i sudezit, siç u tha më sipër, do të detyrojë Mourinjon të gjejë ekuilibra të tjerë. Një operacion që mund të kërkojë pak kohë. Në fakt, Interi i fundit që ka fituar kampionatin udhëtonte me pilotin automatik, me ingranazhet që ishin vajosur mirë nga periudha katërvjeçare nën drejtimin e Mançinit.
Ka shumë mundësi që portugezi të rifillojë nga tredhëmbëshi ku do t’i takojë Mario Balotelit të marrë vendin e Ibrahimoviçit, duke parë se si Milito dhe Eto, edhe pse janë finalizues të shkëlqyer, nuk janë të përshtatshëm për të ndihmuar në ndërtimin e aksioneve. Si alternativë mbetet skema 4-4-2 me mesfushën në formë rombi ku Mourinjo do të ketë në dispozicion, në krahasim me një vit më parë, edhe Tiago Motën dhe Aleksander Hleb, që sipas disa zërave që vijnë nga ambienti zikaltër, nuk pëlqehet shumë nga trajneri portugez.