Kaq duhet të jetë kontrata e re e sulmuesit suedez me spanjollët. Guardiola: Eto, më mirë që të largohet
Zllatan Ibrahimoviç është gjithnjë e më pranë Barcelonës. Ashtu siç konfirmohet edhe nga e përditshmja spanjolle “El Mundo Deportivo”, menaxheri i suedezit, Mino Raiola dhe presidenti i katalanasve, Joan Laporta, paskan gjetur një marrëveshje maksimale për kontratën e gjeniut nga Malmoe. Ibra duhet të fitojë 9 milionë euro në sezon dhe do të lidhet me Barcelonën deri më 2014-ën, pra për 5 vjet.
Gjigandi suedez ka hequr dorë nga 3 milionë euro më shumë që i kërkonte Laportës vetëm për të luajtur “futbollin e tij spektakolar”. Marrëveshja parashikon ndër të tjera edhe një klauzolë për prishjen e kontratës prej 150 milionë eurosh. Mbi çështjen e kalimit të tij te Barça, Ibra paska thënë: “Telefoni im është gjithnjë i ndezur, por nuk kam pasur asnjë komunikim”. Ndërkohë që duket se ai nuk do të luajë kundër Çelsit të Ançelotit në miqësoren e radhës së Interit në Amerikë.
Ndër të tjera, po sipas shtypit spanjoll, Ibra qenka shprehur se ëndërron që një ditë të luajë në krah të Mesit. Qendërsulmuesi 28-vjeçar është i destinuar të lërë Interin për t’iu bashkuar “trupës” së Guardiolës, ku duhet të formojë një sulm yjor me argjentinasin Leo Mesi: “Ëndërroj të luaj me Leon, do të bëjmë çmenduri së bashku”, - qenka shprehur suedezi, i cili nga stërvitja kaliforniane e Interit në Amerikë pret të reja mbi bisedimet.
Ndërkohë, në konferencën e tij të parë për shtyp në prag të sezonit, Pep Guardiola ka ritheksuar vendimin për të lënë të lirë sulmuesin kamerunas Eto: “Nuk ka motive futbollistike për largimin e Etosë nga Barça, është vetëm çështje ndienjash, - tha trajneri i Barcelonës.
- E kuptoj që njerëzit pyesin pse largohet, është një lojtar i mrekullueshëm, por jam i bindur që gjëja më e mirë për klubin është që Eto të largohet”. Unë nuk kam folur me të, megjithatë ekziston edhe mundësia që ai të qëndrojë”. Në një rast të tillë do të dështonte blerja e Ibrahimoviçit dhe gjithçka do të dilte një bllof i papritur: “Jemi një klub i pasur, - vijoi Guardiola, - por nuk duam të arrijmë deri në këtë pikë dhe për më shumë nuk do të ishte një çështje e mirë.
Sidoqoftë, nëse Eto dëshiron, mund të qëndrojë te Barcelona deri në fund të kampionatit. Interi ka parà për ta kënaqur edhe pse është një skuadër e madhe. Unë kam një farë shijeje, kam gjykimin tim, të dy janë lojtarë të mëdhenj. Ibra? Vetëm kur Eto të pranojë ofertën e Interit, atëherë suedezi do të jetë i yni. Eto mund të bëjë ç’të dojë, të pranojë ose jo. Ka çdo të drejtë. Mund të shkojë ose të qëndrojë këtu në liri absolute”.