03 korrik 2009
Histori me Bayernin
Në konferencën e tij të parë si trajner i Bayern Munichut, Louis van Gaal ka treguar synimet dhe vizionin e tij për të ardhmen e klubit. Duke folur me gjermanishte të rrjedhshme, holandezi 57 vjeç insistoi se filozofia e punës së tij i përshtatet një klubi si Bayern dhe u shpreh optimist për edicionin e ri. “I sigurt, dominues, i sinqertë, punëtor i madh, i ngrohtë dhe me orientim nga familja – kjo është një përmbledhje e personalitetit tim”, tha Van Gaal para gazetarëve. “Kjo mendoj se do të përshtatet shumë mirë në klub. Kultura e Bayern Munichut dhe qëndrimit bavarez janë të përshtatshme për mua. Jam krenar dhe shumë i lumtur që punoj në një klub të madh si Bayern. Kam studiuar gjuhën për pesë ditë në javë nga ora 9 e mëngjesit deri 6 pasdite”, shtoi ai. Van Gaal theksoi se mezi pret të fillojë përgatitjet për sezonin e ri dhe ka përmendur Barcelonën si model, të cilin Bayern duhet ta përcjellë. “Jam komunikues. Futbollistët së shpejti do ta kuptojnë sepse dua të imponoj filozofinë time sa më shpejt të jetë e mundur. Ne duhet të marrim Barcelonës si model. Njësoj sikurse ata, ne kemi futbollistë të mirë, por ata punojnë si ekip dhe kjo është arsyeja e suksesit të tyre. Jam i bindur se edhe ne mund të arrijmë shumë. Duhet të bëhemi ekip i vërtetë”, u shpreh ai. Megjithatë, Van Gaal paralajmëroi se nevojitet kohë që principet e tij të marrin efekt në Allianz Arena – diçka që nuk kishte ofruar paraardhësi i tij Juergen Klinsmann. “Dy vite ndoshta. Instalimi i filozofisë sime kërkon shumë orë të kaluara në stërvitje. Nuk e kemi atë. Do të jem i lumtur nëse kalojmë dy muajt e parë pa probleme dhe pa lëndime, por me shumë fitore”, vazhdoi ai. Van Gaal sigurisht e ka përvojën e nevojshme për të udhëhequr një klub të madh si Bayern, pasi më parë ka drejtuar Ajaxin, Barcelonën, Kombëtaren holandeze dhe së fundi AZ Alkmarrin (me të cilin fitoi titullin e kampionit). Synimet e tij nuk ndryshojnë. Ai është zotuar të vazhdojë të luftojë për tituj. “Synimet e mia janë të njëjta me ato të Bayern Munichut. Synimi ynë është të luftojmë për tituj në ligë, por edhe në kupë. Sa i përket Ligës së Kampionëve, dua të arrijmë në mesin e tetë ekipeve më të mira – jo vetëm këtë sezon, por vit pas viti dhe ndoshta në fund të epokës sime të fitojmë Ligën e Kampionëve. Gjithmonë synoj të krijoj histori dhe shpresoj të arrij histori në mënyrë pozitive me Bayernin”, përfundoi ai.