03 korrik 2009

Bolonja: Çështja “Moxhi” nuk ekziston

Flas prej muajsh me Luçiano Moxhin, por ai nuk do që të punojë te Bolonja dhe unë nuk dua që ai të vijë tek ne. Çështja “Moxhi” nuk ekziston”. Me këto fjalë pronari i Bolonjës, Renxo Menarini,
u është shmangur zërave që flisnin për një rikthim në botën e futbollit të ish-drejtorit të përgjithshëm të Juves: “Dje (para dy ditësh) Moxhi ishte në Bolonjë për punët e tij, në mbrëmje e kisha ftuar unë si mik dhe folëm për futboll, por nuk është përfshirë në çështjet e Bolonjës. Nëse, po të flasësh me Moxhin qenka një mëkat, atëherë është faji im, - shpjegon Menarini. - Që kur e njoh, më ka thënë shpeshherë që në futboll nuk kërkon të rikthehet direkt. Nëse do të më kishte dhënë këshilla pozitive, do t’i mirëprisja, por ai asnjëherë s’më ka cituar emra, ndaj te Bolonja s’do të ketë asnjë rol”.
Kështu Menarini ka përgënjeshtruar gjithçka mbi zërat e fundit. Me përjashtim të një momenti kur u indinjua, pasi filloi të flitej për stadiumin e ri, për të ardhmen e skuadrës dhe “nevojën e një futbolli të pastër”, pasi një kronist u përpoq ta pyesë nëse frikësohej që dikush mund të kundërshtonte faktin mbi mundësinë e një futbolli të pastër me Moxhin. Menarini ndërpreu pyetjen dhe tha: “Për Moxhin nuk flas më. Çeravolo? Nuk do të ketë asnjë rol”. Dhe vetë ish-drejtori sportiv i Livornos dhe njeriu i Moxhit konfirmoi: “Kontakte ka pasur, por unë e refuzova rolin e drejtorit sportiv”. Ndërkohë presidentja Françeska Menarini ka thënë: “I përgënjeshtrojmë lajmet që qarkullojnë në shtyp. Janë të pasakta, pa asnjë burim, nuk ka asnjë kalim të pronësisë tek dikush tjetër, as ortakë të rinj, asnjë Luçiano Moxhi. Klubi është i yni dhe mbetet me 100%”. Ndërkohë edhe Moxhi ka dashur të sqarojë qëndrimin e tij në lidhje me zërat te Bolonja: “Shumë presidentë më thërrasin për të më kërkuar këshilla dhe jo poste. U duhet dhënë fund lajmeve që shohin emrin tim te skuadrat që janë në vështirësi. Që nga fillimi i vitit e deri tani kam biseduar me rreth 12-të, nga Pro Patria, duke kaluar te Livorno e deri te Bolonja”.