21 korrik 2009
Basha zgjedh Frosinonen
Edhe pse kishte oferta nga klube të ndryshme të Serie A, Migjen Basha ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në Serie B, respektivisht te skuadra e Frosinones.Mesfushori kosovar të hënë ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me skuadrën nga Stadio Matusa. Ish anëtari i përfaqësueses U-21 të Zvicrës klubit të ri do t’i bashkohet menjëherë në stërvitje. “Frosinone më ka ofruar kushte shumë të mira dhe për atë arsye nuk kam hezituar të nënshkruaj kontratë, e cila do të vlejë deri në vitin 2013. Madje edhe trajner i ekipit ka insistuar që unë të vij këtu”, ka thënë Basha për Express të hënën. Basha tregon se drejtuesit e klubit Gialloazzurri i kanë paguar 1 milion euro skuadrës së Riminit për gjysmën e kartonit të tij. Sipas Migjenit, synim i skuadrës italiane është inkuadrimi në Serie A. “Besoj se te Frosinone do të përshtatem mirë pasi trajneri luan në sistemin 4-2-3-1, që më konvenon edhe mua. Me këtë sistem kam luajtur tri herë sa isha në Rimini dhe kam shënuar tri gola”, theksoi ai. Migjen Basha para se të zgjidhte Frosinonen kishte oferta edhe nga Udinese, Sampdoria, Livorno, Catania nga Serie A dhe Reggina, Mantova e Vicenza nga Serie B.