04 qershor 2009

Bufon: Projekti i Juventusit më pëlqen

Portieri bardhezi është shprehur entuziast për punën që po bën klubi për sezonin e ardhshëm

Duartrokitjet e shumta, përqindja e lartë e gjuetarëve kokëfortë për një autograf dhe një fotografi me të, numri madh i fëmijëve që e pëlqejnë, femrat me sytë e fiksuar tek ai, që dukshëm kanë zili gruan e tij Alena, edhe asaj i është dashur t’i nënshtrohet pozave të ndryshme për fototgrafi dhe dhënies së autografëve, të gjitha këto pra tregojnë se një vit para Botërorit afrikanojugor dhe në prag të Kupës së Konfederatave numri një i futbollit italian është një portier, i vetmi që i ka shkuar afër “Topit të Artë” që nga koha e legjendës Lev Jashin, në vitin 1963. Një muaj më parë Bufon dukej larg Juventusit në krizë rezultatesh me kualifikimin në Champions në rrezik. Tani është një kampion i kënaqur. Për fillimin e fushatës së blerjeve të klubit bardhezi, për jetën e tij private, në pritje të djalit të dytë pas të voglit Luiz Tomas dhe për ëndrrat sportive, që ka në moshën 31-vjeçare ka dhënë intervistën e mëposhtme.

- Nuk diskutohet më mundësia që ju të largoheni nga Juventusi?

- E kam thënë më parë dhe e përsëris. Drejtuesit e klubit më kanë siguruar për të ardhmen. Projekti ekziston dhe duket qartë. Mua më pëlqen.

- Po reagimi në ndeshjen kundër Leçes?

- Më duket se duhet dhe është e mundur që të shohim përpara. Këtë e tregojnë faktet, jo fjalët.

- E keni fjalën për merkaton, edhe pse rikthimi i Kanavaros nuk i ka pëlqyer të gjithë tifozëve?

- Mua më duket se Juvja e ka nisur punën në mënyrën e duhur. Ndoshta nuk janë vlerësuar siç duhet blerjet e Diegos dhe Kanavaros. Kanë qenë dy lëvizje të goditura. Kjo është rruga drejt përmirësimit të cilësisë.

- Mjaftojnë?

- Jam i sigurt se përforcimi ynë nuk do të mbarojë me kaq. Për Kanavaron flet karriera e tij, në disa raste mosha nuk ka rëndësi. Njerëz si ai, akoma të fortë dhe me shumë stimuj, janë ata që na duhen. Dhe me Diegon, ndoshta jo të gjithë e kanë kuptuar këtë, ka ardhur një nga talentet e reja të futbollit botëror.

- Mbetet mister emri i trajnerit të ri: Spaleti, Ferrara apo dikush tjetër?

- Këtë e vendos klubi dhe besoj se do të marrin vendimin e duhur. - Me Ferrarën, pas Ranierit, ka ardhur ringritja.

- Me Ranierin kemi qenë gjithmonë lart edhe nga Championsi kemi dalë me nder. Në lidhje me trajnerin e ri nuk flas, nuk më takon mua. Për Ferrarën mund të them se ka treguar se është i përgatitur taktikisht dhe në menaxhimin e grupit. Eshtë autoritar dhe i aftë.

- Kombëtarja, kampione bote, nuk ka më fuqinë që kishte në 2006-ën.

- Ndoshta është kështu, jemi një skuadër në ndërtim. Por kemi akoma edhe një vit e gjysmë kohë para Kupës së Botës në Afrikën e Jugut. Janë disa talente të reja që mund të shpërthejnë plotësisht gjatë kësaj periudhe. E kam fjalën për Akuilanin, Pacinin, Xhiuzepe Rosin, Motën…

- Përsëritja e triumfit në Berlin duket e pamundur.

- Mbas një viti përfshirja në katër më të mirat do të ishte një sukses. Mjetet i kemi. Kupa e Konfederatave do të na shërbejë për të kuptuar se në çfarë stadi jemi.

- Me rastin e Kupës së Konfederatave ju do të kaloni 94 paraqitjet me kombëtaren të arritura nga Faketi, duke u bërë lojtari i katërt me më shumë aktivizime në historinë e Italisë: Zof (112), Kanavaro (124), Maldini (126) nuk duken të paarritshëm.

- Përveç faktit se Kanavaro mund të vazhdojë akoma për një kohë të gjatë, unë kam të tjerë objektivë me kombëtaren. Dua të fitoj gjithçka, me këtë fanellë luhet për një komb të tërë. Eshtë një përgjegjësi e madhe. Më pëlqen të mendoj se asgjë nuk është e pamundur. Në fund të fundit kam qenë i vetmi lojtar i Serisë B që është renditur i dyti në garën për “Topin e Artë”.