Juventusi ka pohuar edhe zyrtarisht se ka angazhuar mesfushorin brazilian të Werder Bremenit, Diego, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare.
Klubi italian një kohë të gjatë ka përcjellë paraqitjet e Diegos dhe rreth një muaj ka negociuar për të kompletuar transferimin e tij. Lojtari arriti dje në Torino për të kompletuar testet mjekësore, ndërsa sot Juventusi edhe zyrtarisht ka pohuar lajmin se braziliani sezonin e ardhshëm do ta mbajë fanellën bardhezi. “Juventusi bën të ditur se ka arritur marrëveshje për të angazhuar brazilianin Diego. Transferimi është finalizuar. Lojtari ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare, e cila do të hyjë në fuqi nga 1 korriku i vitit 2009”, thuhet në deklaratën e klubit. Juve do t’i paguajë Werderit 24.5 milionë euro, ndërsa në varësi të paraqitjeve të Diegos, klubi gjerman do të mund të fitojë edhe 2.5 milionë euro shtesë.