25 maj 2009

Zhuninjo, lamtumira me golin e 100-të

Braziliani i Lionit arrin shifrën jubilare në ndeshjen e fundit në “Zherland”
Edhe pse mungon konfirmimi zyrtar, që pritet të vijë javën e ardhshme, Zhuninjo ka luajtur ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Lionit para tifozëve vendas në stadiumit “Zherland”, të shtunën ndaj Kanës, ku shënoi golin e parë në fitoren 3-1, të 100-n për të me fanellën e “Les Gones”.
I zëvendësuar dhjetë minuta para fundit, i gjithë stadiumi ka përshëndetur “heroin” që luajti për tetë vjet me ekipin e Lionit, por vetëm sivjet nuk arriti ta fitojë titullin. Me golin numër 100, Zhuninjo renditet në vendin e katërt të golashënuesve të historisë së Lionit pas Di Nalos me 222 gola, Kiesës me 134 dhe Lakombes (aktualisht drejtor teknik) me 123 gola. 44 nga 100 golat e shënuar prej kapitenit kanë ardhur me goditje dënimi, specialiteti që e ka bërë brazilianin të famshëm në të gjithë planetin. Mes lotëve braziliani tha:
“Kur mendoj se pas tetë vitesh nuk do të luaj më në këtë stadium trishtohem shumë. Vitin e ardhshëm dua të rikthehem në Brazil, sepse e ndjej që aventurës te Lioni i ka ardhur fundi. Diçka të tillë ia kam thënë edhe drejtuesve dhe mendoj se do ta pranojnë prishjen e parakohëshme të kontratës”. Zhuninjo ka fituar shtatë herë titullin kampion me fanellën e Lionit dhe një herë Kupën e Francës.
Aktualisht, Lioni renditet në vendin e tretë të Ligës 1 dhe do ta mbajë këtë pozicion pavarësisht nga rezultatet e javës së fundit. “Pavarësisht se nuk fituam titullin ky duhet të konsiderohet si një sezon tranzicioni dhe jo si një kampionat i dështuar. Skuadra ka baza të mira nga ku do të ringrihet dhe vitin e ardhshëm do të jetë sërish në Champions. Lioni ka ndërtuar një simbol që nuk do të harrohet lehtë në Francë” - përfundoi Zhuninjo.